Me këtë vendim, prej 1 shtatorit, hyri në fuqi rritja e pagave në të gjitha bashkitë e vendit për kryebashkiakët, nënkryetarët, drejtorët dhe punonjësit e tjerë të pushtetit vendor.

Rritja e cila mbulohet nga buxheti i shtetit varion nga 30-40 % për secilin pozicion.

Kjo reformë sipas qeverisë nuk ka të bëjë vetëm me rritjen e pagave, por edhe me ristrukturimin e bashkive dhe stafeve të tyre.

Reforma e rritjes së pagave për pushtetin vendor do të prekë të gjitha bashkitë, por më së shumti do të përfitojnë bashkitë e vogla dhe të mesme.

Sipas ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, prej 1 shtatorit, paga minimale nga 32 mijë lekë do të shkojë në 70 mijë lekë.

Por si ndryshon niveli i pagave në bazë të numrit të popullsisë?

Konkretisht, për Bashkinë Tiranë kufiri minmal i pagës së kryetarit është 268 mijë lekë/ muaj dhe ai maksimal 318 mijë lekë në muaj. Për nënkryetarët e kësaj bashkie, kufiri maksimal arrin në 270 mijë lekë në muaj.

Për njësitë e vetëqeverisjes vendore me mbi 200 mijë banorë, paga për kryetarin varion nga 255 mijë lekë deri në 290 mijë lekë në muaj, ndërsa për nënkryetarin arrin deri në 255 mijë lekë në muaj.