Në përballje e radhës me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, prokurori i Tiranës Avni Kraja u vu përballë dyshimeve se nuk justifikonte me burime të ligjshme 14 milionë lekë shpenzime dhe probleme me deklarimet vjetore e ato për llogari të vetingut. Kraja kërkoi rihapje hetimi në dy kriteret e tjera.
Seanca e radhës ndaj prokurorit Avni Kraja filloi me njoftimin e rrëzimit të kërkesës së tij për përjashtim nga trupa të relatores Alma Faskaj dhe pasi u bë me dije se nuk kishte kërkesa të tjera paraprake.
Trupa e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit e kryesuar nga Lulzim Hamitaj, me anëtare Genta Tafa (Bungo) dhe relatore Alma Faskaj, vijoi pas kësaj me leximin e gjetjeve të hetimit administrativ ndaj prokurorit Kraja.
Faskaj vuri në dukje një sërë problemesh në deklarimin e pasurive dhe burimin e ligjshëm për krijimin e tyre. Relatorja tha se nga analiza financiare për periudhën 2003-2016 rezultoi se Kraja kishte një bilanc negativ prej 14 milionë lekësh, që nuk justifikoheshin me burime të ligjshme.
Nga relatimi rezultoi se një pjesë e mirë e këtij bilanci ndikohej nga blerja e një apartamenti 135 metra në Tiranë dhe disa transaksione me automjete që i kishin rezultuar KPK si të dyshimta.
Kraja dhe avokatja Irena Riso nuk paraqitën parashtrime të gjata në seancë, duke thënë se i kishin paraqitur ato me shkrim. Riso tha se gjithë pasuria e të mbrojturit prej saj ishte një apartament, ndërsa theksoi se burimet e krijimit ishin të ligjshme.
“Ka vetëm një apartament banimi. Nga i cili për gjysmën janë ngritur dyshime, gjysma është me burime të ligjshme”, tha Riso, ndërsa shtoi se shpresonte që të trajtoheshin prapësimet e bëra me shkrim.
Avni Kraja e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1992 dhe përgjatë tre dekadave e ka ushtruar funksionin e prokurorit në Lushnje, Krujë, në Shkodër dhe prej vitit 2010 në Prokurorinë e Tiranës.
Problemet me apartamentin
Gjatë relatimit Faskaj vuri në dukje se Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesave, ILDKPKI, kishte sjellë një raport negativ për Krajën. Sipas raportit prokurori kishte bërë deklarime të pasakta, s’kishte burime të ligjshme, kishte kryer fshehje dhe kishte bërë deklarim të rremë.
Vetë KPK duket se e kishte përqendruar hetimin tek një apartament 135,5 metra në qendër të tiranë i blerë sipas deklarimeve të Krajës për 105 mijë euro. Faskaj tha se probleme kishin dalë që me kohën e deklarimit të apartamentit. Sipas saj shpenzimet për të ishin deklaruar në vitin 2008, ndërsa nga faturat rezultonte që një shumë prej 55 mijë eurosh ishte paguar në dy këste në vitin 2007, por nuk ishte deklaruar.
Problem po ashtu u cilësua edhe ndryshimi i çmimit përfundimtar nga kontrata. Faskaj tha se apartamenti ishte parashikuar të shitej 121 mijë euro, por se një pjesë e shumës nuk ishte paguar, pasi prokurori pretendonte se kishte një dakordësi me shitësin për të bërë punime vetë. Relatorja vuri në dukje se nuk kishte dokumente për këto punime që ishin deklaruar si të kryera nga vëllai i subjektit për rreth 200 mijë lekë, por që kishin ulur çmimin e apartamentit me rreth 16 mijë euro. Po ashtu Faskaj vuri në dukje se nuk kishte të dhëna që kontrata mes palëve të ishte ndryshuar, pasi nuk kishte një kontratë tjetër.
Njësoj me probleme rezultoi edhe një pagesë kësti në vitin 2007 nga bashkëshortja, që sipas Faskajt mbeti e pa provuar. Faskaj tha se Kraja kishte pretenduar që për shkak të rrethanave subjektive nuk kishte pasur dijeni që ajo pagesë ishte bërë në vitin 2007.
Sipas Faskajt si burim për apartamentin kishte shërbyer shitje për 6.9 milion lekë e katit të tretë të një shtëpie private vëllait të Krajës, të ardhurat nga puna, të ardhurat nga një vendim gjykate dhe të ardhurat nga shitja e një shtëpie në Lushnje.
Dy prej burimeve duket se nuk ishin konsideruar të ligjshme nga Komisioni. Faskaj tha se për shitjen e katit të shtëpisë private të vëllai nuk ishin paguar detyrimet tatimore deri në fillim të vitit 2021, duke lënë të kuptohej se ato nuk ishin konsideruar si të ardhura të ligjshme nga Komisioni. Po ashtu gjatë pyetje përgjigjeve me subjektin relatorja kërkoi sqarime se pse kur ishin paguar në vitin 2021 tatimet për këto të ardhura ishin paguar si të ardhura personale dhe jo si tatim mbi shitjen e pronës.
Kraja tha se ai ishte informuar nga tatimet që nuk kishte pasur detyrim të paguante tatim për shitjen. Ai pretendoi se edhe pse nuk kishte kontratë shitje, por vetëm deklaratë noteriale me të vëllain prona gëzohej plotësisht prej të vëllait dhe shpjegoi rrethanat familjare që kishin diktuar sipas tij shitjen e apartamentit.
Faskaj vuri në dukje në relatim se kishte dyshime mbi çmimin e shitjes. Sipas relatimit kati ishte ndërtuar me 2 milion lekë shpenzime të subjektit dhe me ndihmën e vëllait tjetër që ishte ndërtues. KPK tha se ishte i dyshimtë fakti që më pas ai i ishte shitur njërit prej vëllezërve për një çmim mjaft më të lartë.
Kraja shpjegoi se çmimi i shitjes ishte llogaritur që të ndihmonte në blerjen e apartamentit dhe se kjo kishte qenë një nevojë e gjithë familjes. Ai tha se shitja ishte diktuar nga mohimi i një leje ndërtimi prej bashkisë në truallin që familja kishte.
KPK po ashtu duket se kishte cilësuar të paligjshëm edhe paratë e fituara nga shitja e një apartamenti në Lushnje, një burim tjetër i të ardhurave të pretenduar nga Kraja, që ndikonte në analizën financiare.
Nga relatimi doli se Kraja e kishte fituar apartamentin si i pastrehë, por Faskaj tha se ai nuk ishte rregjistruar si banues në Lushnje dhe dokumentet e sjella prej tij nuk përputheshin me ato të institucioneve dhe ligjin e kohës. Po ashtu sipas relatores Krajës i kishte takuar vetëm 1/5 e çmimit të shitjes dhe jo gjysma. Kraja tha se apartamenti ishte në emër të tij dhe se në të kishte jetuar e gjithë familja, por pretendoi se atij i kishte takuar ajo pjesë e çmimit që kishte marrë. Ai tha se institucionet që kishin për detyrë ruajtjen e dokumenteve ishin djegur dy herë.
Probleme sipas KPK dolën edhe me mosdeklarimin e një sipërfaqeje trualli në Tiranë. Sipas Komisioni rreth 500 metra truall ishin përfituar me hapje të dëshmisë së trashëgimisë së babait të prokurorit në vitin 2014, por ishin deklaruar nga prokurori vetëm në vitin 2018. Kraja pretendoi pa dijeni në lidhje me këtë pasuri dhe tha se e kishte deklaruar kur kishte rënë në dijeni të faktit.
Në relatim u vu në dukje se deklarime të Krajës mbi apartamentin dhe burimet e ligjshme ishin kontradiktore. Relatorja tha se deklarime të bëra më herët për ILDKPKI ishin të ndryshme nga ato të dhëna për veting, duke thënë se prokurorit i ishte kaluar barrë prove edhe për këto deklarime.
Kursimet Cash dhe makinat
Njësoj probleme u gjetën nga KPK edhe mbi kursimet cash të prokurorit. Faskaj lexoi se ai kishte deklaruar dy gjendje të ndryshme në vitin 2016 dhe në fillim të vitit 2017.
Kështu në deklaratën periodike për vitin 2015 në mars 2016, Kraja kishte deklaruar pasjen e 2.5 milionë lekëve kursime cash, ndërsa në deklaratën veting në janar 2017 kishte deklaruar rreth 1.5 milionë lekë. KPK tha se nuk kishte pasur shpenzime të deklaruara në këtë kohë, por Kraja ka pretenduar se ishin bërë shpenzime.
Komisioni tha se nga hetimi Kraja rezultonte me mungesë burimesh për të krijuar gjendjen cash, kursimet dhe po ashtu shpenzimet e kryera gjatë viteve. Sipas Faskajt në total nga analiza financiare rezultonin më shumë se 14 milionë lekë që nuk justifikoheshin nga burime të ligjshme. Shumica e tyre kishin të bënin me blerjen e apartamentit, por një pjesë tjetër kishin të bënin me transaksione për automjete dhe shpenzime të tjera.
Relatorja tha se Kraja nuk kishte deklaruar në deklaratën veting asnjë prej mjeteve që kishte pasur, ndërsa vuri në dukje se nga hetimi i këtyre transaksioneve të deklaruara në vite rezultuan një sërë problemesh.
Një prej makinave sipas KPK ishte blerë për një çmim prej 200 mijë lekësh, i ishte bërë një remont me kosto 300 mijë lekë dhe më pas ishte shitur nga bashkëshortja e subjektit për më shumë se 1 milion lekë. Kraja kishte deklaruar në pyetësorë se makina nuk ishte blerë për tu shitur, por se kishte pasur një defekt dhe se blerësi kishte rënë dakord. KPK tha se nuk rezultoi që për këtë shitje të ishin paguar detyrimet tatimore.
Një sërë mjetesh të tjera të blera dhe të shitura ndër vite rezultuan me probleme dokumentacioni dhe të ngjashme. KPK tha se për një makinë kishte dy kontrata shitje për dy persona të ndryshëm në kohë të ndryshme. Kraja nuk dha shpjegime mbi këto probleme në seancë.
Avokatja Riso kërkoi që të merreshin dëshmitë e dy vëllezërve në lidhje me të ardhurat për apartamentin. KPK e mbledhur në dhomë këshillimi i pranoi dëshmitë dhe caktoi një afat 9 ditorë për depozitimin e tyre. Megjithatë gjatë diskutimit relatorja i tha subjektit se dy vëllezërit kishin depozituar edhe më herët dëshmi dhe nuk e kuptonte pse duheshin depozituar dëshmi të reja.
Në fund Kraja kërkoi përmes avokates rihapje të hetimit në dy kriteret e tjera. KPK njoftoi seancën e radhës në 18 maj, në orën 9.30. /BIRN/