Nga ndërtimi u bë fermer/ 24 vite punoi në Greqi e Itali, tani merret me rritjen e viçave

Ded Zefi, për 24 vjet ka punuar në ndërtim në Greqi dhe Itali.

Para 6 vitesh mori vendimin që të kthehej në Shqipëri. Si fillim ai hapi një bar kafe, por të ardhurat që i siguronte lokali nuk ishin të kënaqshme. Në 2020 ai vendosi të bëhej fermer duke ngritur një kompleks gjedhësh, prej 50 viçash, përveç kësaj në këtë tokë ai rrit edhe 700 pula.

“Janë rreth 50 vica të racave të ndryshme, por pjesën më të madhe e ka vendi. Shpresojmë që me kalimin e kohës t’i shtojmë. Pavarësisht se kostoja e ushqimit është rritur shumë. Cilat janë planet e së ardhmes? Unë dua të merrem me tregtinë e mishit, pasi të merrem dhe bulmetin nuk ia dal dot. Nëse një prodhim është bio përse të mos certifikohemi, përse të na konkurroj mishi i Brazilit që vjen më një kosto shumë të ulët dhe shitet një lloj tek kasapi”, shprehet Ded Zefi.

Marketing

Deda thotë se konsumatori duhet të mbështesë prodhimin vendas. Sipas tij produktet shqiptare janë të pakrahasueshme për nga cilësia me ato të importit.

“Në periudhën e Covidit ka pas shumë punë pasi vijnë tregtarët dhe i marrin më pas ia shesin konsumatorit. Ai që vjen njëherë të blejë këtu më pas do të vijë gjithmonë”, thotë Zefi.