Ballina Aktuale Nga nesër letërnjoftimet e reja me mbiemrin “E Veriut”

Nga nesër letërnjoftimet e reja me mbiemrin “E Veriut”

Mbi 40 mijë qytetarë do të marrin letërnjoftime të reja me emrin e ri kushtetues të shtetit në përputhje me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski solli akt nënligjor për harmonizim të Ligjit për Letërnjoftim me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, që të mund të vazhdojë procesi i lëshimit të dokumenteve të identifikimit. Nga MPB-ja thonë se kanë pritur disa muaj derisa nuk kanë gjetur zgjidhje adekuate.

Marketing

“Bëhet fjalë për një akt nënligjor të cilin ministri ka të drejtë ta sjellë në pajtueshmëri me Ligjin ekzistues për Letërnjoftim, prandaj edhe kërkohej mënyrë ligjore dhe juridike për të gjetur një zgjidhje adekuate. Ne këtu nuk kemi asnjë ndryshim tjetër përveç lëshimit të letërnjoftimeve me emrin e ri kushtetues që është në përputhje me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Ndryshime të tjera në këtë zgjidhje nuk ka”, tha Suzana Pranjiq nga MPB.

Paraprakisht nga MPB-ja thanë se lëshimi i letërnjoftimeve është ndërprerë sepse e kanë përditësuar sistemin në përputhje me Marrëveshjen e Prespës, e cila parasheh që nga 1 korriku i këtij viti në letërnjoftimet të figurojë emri i ri kushtetues i shtetit sipas Ligjit për Përdorimit të Gjuhëve, e i cili parasheh letërnjoftime dygjuhësore për pjesëtarët e bashkësive më të vogla të cilët do ta kërkojnë këtë.

Nga ana tjetër, Aleksandar Nikollovski nga radhët e VMRO-DPMNE-së thotë se pushteti është duke e shkelur ligjin. Mes të tjerësh, ai ua tërheq vërejtjen të punësuarve në MPB se mund të përfundojnë në gjykatë nëse nuk e respektojnë ligjin.

“Nuk është hera e parë që ky pushtet ta shkelë ligjin, në fakt për 4 vite me radhë i shkelin ligjet. Në këtë drejtim, pasi të ndryshojë pushteti pas zgjedhjeve lokale do të mbajnë përgjegjësi. I paralajmëroj të gjithë që punojnë në MPB të kenë kujdes sepse ka njerëz edhe nga MPB, edhe nga institucione të tjera të cilët janë në gjykatë për çështje më të vogla. Do të përgjigjen për këtë punë kaq të madhe, si për aferën me pasaportat. Përgjegjësia nuk do të përfundojë te “peshqit e vegjël” të cilët përgjigjen tani”, deklaroi Aleksandar Nikollovski nga VMRO-DPMNE.

Profesori dhe ish-gjykatës kushtetues, Trendafil Ivanovski, thotë se ministri vetëm mund të gjejë mënyrë për ta zgjidhur problemin, por jo të sjellë akte nënligjore. Qeveria ka për detyrë ta rregullojë ligjin në mënyrë normative.

“Ministri nuk mund ta ndryshojë dispozitën ligjore, sepse sigurisht i është dhënë urdhër që të gjejë mënyrë si ta zbatojë këtë. Ai mund të propozojë që të ndryshojë urgjentisht vetëm ajo pjesë e dispozitës ligjore ose mund nëse dispozita ligjore nuk është arsyeja. Në këtë rast mund të vlejë dispozita e vjetër ligjore, gjegjësisht letërnjoftimet e vjetra. Ministria ka për detyrë t’i propozojë Qeverisë, kurse Qeveria duhet ta rregullojë nëse është normative. Por, nëse nuk mund ta rregullojë, atëherë duhet të aktivizohet Kuvendi që të respektohet regjimi ligjor”, potencoi Trendafil Ivanovski – profesor.

Në Kuvend janë dorëzuar ndryshime për Ligjin për Letërnjoftim, por ai është bllokuar mes 1.500 amendamenteve të partisë E Majta, të cilat i dorëzoi për shkak të kërkesës së Lëvizjes Besa – në dokumentet personale të figurojë edhe përkatësia etnike.
Nga MPB shpjegojnë se së pari kërkesat e qytetarëve duhet të aprovohen me sjelljen e aktit nënligjor, kurse pastaj të fillojë procesi i personalizimit dhe shpërndarjes deri te shërbimet administrative në vend.

Ndryshe, dokumentet e identifikimit me emrin e vjetër kushtetues do të mund të shfrytëzohen deri më 12 shkurt të vitit 2024.

Exit mobile version