Nga sot rruga e Jorganxhinjve në Çarshinë e Vjetër të Shkupit emërohet “Rruga Evropiane”

Kryetari i Komunës së Çairit Visar Ganiu bashkë me Ambasadorin e Bashkimit Evropian z. Samuel Zhbogar emërtuan simbolikisht rrugën e Jorganxhinjve në Çarshinë e Vjetër të Shkupit me emrin “Rruga Evropiane”.

Marketing

Me këtë rast, kreu i Çairit Ganiu para mediave dhe qytetarëve të pranishëm u shpreh: “Në këtë rrugë para disa javëve u dëshmua para syve të Evropës vlera jonë e lashtë e mikpritjes dhe u shpreh më së miri vullneti ynë për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian, përmes gjestit mahnitës të mjeshtrit të filigranëve z. Selajdin Asani i cili i dhuroi një dhuratë modeste znj. Federika Mogerini.

Në nder të gjestit të tij, dëshira jonë e përbashkët ishte të përjetësojmë këtë moment shumë domethënës përmes emrit të ri të rrugës, por edhe përmes dekorimit të saj me ombrella që mbajnë mbishkrimin “BE për Ty”.

Kryetari Ganiu shprehu falënderimin e tij ndaj Ambasadës së Bashkimit Evropian për vlerësimin e këtij gjesti dhe përkujdesin ndaj Çarshisë së Vjetër të Shkupit me përkrahjen e vazhdueshme të projekteve për ruajtjen e gjallërisë së saj kulturore. Ai premtoi se ky emërim nuk do të mbetet vetëm simbolik por do të inicojë procedurë zyrtare për emërtimin e saj formal në “Rruga Evropiane”.