Nikolloski: Kërkojmë që paratë për hekurudhën drejt Bullgarisë të ridedikohen për hekurudhë të shpejtë në Korridorin 10

Dëshira për të ndërtuar një hekurudhë mes Shkupit dhe Sofjes është e kahmotshme. Ajo është një ide e mrekullueshme dhe duhet të zbatohet, por pyetja është se si. Për momentin ekziston një hekurudhë ndërmjet Shkupit dhe Kumanovës e cila është në ndërtim e sipër dhe po përfundohet pjesa e parë që shkon nga Kumanova në Beljakovc. Faza e dytë nga Beljakovci deri në Kriva Pallankë po ndërtohet me dinamikë shumë të ngadaltë. Faza e tretë fillon nga para Kriva Pallankës deri në Bullgari dhe në vetvete ka shumë mangësi, sidomos që ai projekt mund të ndërtohet deri në territorin tonë, ndërsa Bullgaria nuk ka fare projekt për në anën tjetër. Kështu deklaroi sot ministri i transportit dhe lidhjeve, Aleksandar Nikolloski, gjatë inspektimit të rrugës Rankovc-Kriva Pallankë, transmeton Portalb.mk.

Marketing

“Kërkojmë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka Evropiane për Investime, me të cilën qeveria e kaluar e LSDM-së dhe BDI-së ka nënshkruar marrëveshje, që ato mjete të ridedikohen për ndërtimin e një hekurudhe të shpejtë përgjatë Korridorit 10 dhe për rehabilitimin e korridorit ekzistues 10. Nga Tabanoci deri në Gjevgjeli, do të thotë nga kufiri me Serbinë deri në kufirin me Greqinë që trenat të mund të ecin me shpejtësinë 100 deri në 120 kilometra në orë, ndërsa rehabilitimi i hekurudhës ekzistuese është një projekt që do të kushtojë 250 milionë euro”, tha ai.

Sipas tij kjo do të thotë se e gjithë linja veri-jug kushton dy herë më pak se 24 kilometrat nga Kriva Pallanka deri në kufirin me Bullgarinë. Në këtë drejtim ai propozon që të ulemi dhe të bisedojmë me palën bullgare dhe të shohim nëse mund të realizohet ndërtimi i hekurudhës drejt Bullgarisë.

“Sa i përket kësaj lëvizjeje, duhet të ulemi dhe të bisedojmë seriozisht me Bullgarinë. Të analizohet nëse ky është projekti më i mirë, nëse ata mund ta realizojnë në anën e tyre dhe nëse ka zgjidhje alternative më të lira, të cilat do t’i ndërtonim së bashku dhe do të realizonim një projekt të qëndrueshëm që nuk është aq i kushtueshëm”, tha ministri i transportit dhe lidhjeve, Nikolloski.

Duke i shpjeguar mangësitë e fazës së tretë të hekurudhës nga Kriva Pallanka drejt Bullgarisë, ministri i transportit dhe lidhjeve tha se ajo kalon nëpër qytetin e Kriva Pallankës dhe duhet të rrënohen 20 shtëpi, si dhe se kalon nëpër një brez malor, i cili sipas tij do të pamundësojë që trenat të mund të lëvizin më shumë se 60 kilometra në orë.

“Ajo pjesë e hekurudhës përfundon në një tunel, i cili nuk ka dalje në anën tjetër. Ne mund ta ndërtojmë atë vetëm deri në territorin tonë, ndërsa Bullgaria nuk ka fare projekt për anën tjetër. Është e vërtetë që në anën bullgare afër Gjueshevës ka hekurudhë, por nuk ka hekurudhë deri në kufi. A do ta ndërtojnë bullgarët dhe kur është një pyetje për të cilën nuk kemi përgjigje”, tha ministri Nikolloski.

Nikolloski theksoi se me projektin për pjesën nga Kriva Pallanka deri në Bullgari është paraparë që për ndërtimin e vetëm 24 kilometrave të ndërtohen 22 tunele, gjë për të cilën ai është i mendimit se asnjë kontraktues nuk do të mund ta realizojë për një periudhë katërvjeçare.

Vlera e parashikuar e 24 kilometrave hekurudhë është 452 milionë euro, ndërsa me mbikëqyrje, mbështetje teknike dhe elektrifikimin, kushton gjithsej 560 milionë euro, prej të cilave, sipas Nikollovskit, 350 milionë euro janë kredi.

“Kredi që do duhet t’i paguajnë brezat e ardhshëm, që do të thotë se kjo do të jetë hekurudha më e shtrenjtë në Evropë. Një kilometër do të kushtojë diku rreth 24 milionë euro. A ia vlen të shpenzohen 560 milionë euro nga paratë e popullit në Maqedoninë e varfër për një hekurudhë që nuk do të përfundojë kurrë? Thjesht do t’i hedhim paratë dhe edhe pas 10 vitesh do të flasim se si hekurudha ende nuk është përfunduar”, thotë Nikolloski.

Kujtojmë se ministri tha se rruga Rankovc -Kriva Pallankë do të jetë gati deri në fund të vitit. Kjo rrugë e shpejtë, siç thotë Nikolloski, do të ndihmojë në përshpejtimin e komunikimit me Sofjen, gjegjësisht shkurtimin e kohës së udhëtimit nga Shkupi në Sofje.