Nipi i Ali Ahmetit rrezikon deri në 10 vjet burg

Drin Ahmeti, nipi i kreut të BDI-së Ali Ahmeti i cili më 30 dhjetor u arrestua mbi dyshimet për posedimin e sasive të mëdha të mjeteve piroteknike, rrezikon dënim me burg nga 3 deri në 10 vjet. Prokuroria Publike do të bën ekspertizën e mjeteve të konfiskuara për të procedura më tej drejt vërtetimit dhe kualifikimit të veprës penale.

Marketing

“Ai i cili në kundërshtim me ligjin përpunon, mban, shet, porosit, ndërmjetëson në tregti apo bën këmbim më armë zjarri, municion apo materie shpërthyese dënohet me burg nga 3 deri në 10 vjet”, thuhet në Kodi Penal, Neni 396.

Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski tha se informacioni i policisë i dorëzuar te organi akuzës bazohet pikërisht në këtë nen. Spasovski tha se nga Prokuroria pret zbardhjen e rastit në kohë.

“Nga aspekti policor ne i kemi ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme. Janë konfiskuar të gjitha mjetet e gjetura dhe është dorëzuar në prokurori i gjithë dokumentacioni përkatës. Njoftimi është dorëzuar bazuar në nenin të cilin ju e përmendet, por duhet ta keni parasysh se tani prokuroria obligohet t’i shqyrton të gjitha dëshmitë e nevojshme”, theksoi Oliver Spasovski, Ministër i Brendshëm.

Drin Ahmeti apo ndryshe i njohur si bashkëpronar i QT “Soravia” mbrëmjen e 30 dhjetorit përfundoi në pranga si rezultat i posedimit të mjeteve piroteknike. Sasia që sipas fotografisë të cilën e ka publikuar policia jo zyrtarisht rezulton deri 750 copa, vlera e të cilave arrijnë në disa mijëra euro. Mjetet janë gjetur në veturën e tij të llojit Range Rover me targa të Shqipërisë e cila nga njësitet policore është ndaluar pak metra poshtë objektit të Ambasadës Amerikane, rrugës që çon drejtë Kalasë së Shkupit.

Për arrestimin e tij reaguan partitë opozitare sipas të cilave veprimtaria e Drin Ahmetit dëshmon se familja e kreut të BDI-së është e përfshirë edhe në biznesin e tregtisë me mjete piroteknike. Ata kërkuan zbardhje të rastit dhe inkurajuan organet e ndjekjes penale që të mos bien pre e presionit dhe kërcënimeve politike që mund të vijnë nga eksponentë të BDI-së./Alsat.mk

Marketing