Nis Konferenca e Sigurisë në Munih

Konferenca e Sigurisë së Munihut nis më 16 shkurt në një kohë kritike, përderisa në Shtetet e Bashkuara po vazhdon fushata për zgjedhjet presidenciale ku ka të ngjarë që sërish të përballen presidenti Joe Biden, dhe ish-presidenti Donald Trump. Punimet e kësaj konference po mbahen edhe në kohën kur në Kongresin amerikan ka ngecur një paketë për ndihmë ushtarake për Ukrainën.

Marketing

Nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, parashihet që t’i adresohet konferencës në ditën hapëse, ndërkaq një ditë më vonë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, do të bëjë paraqitjen e parë fizike në këtë konferencë që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022, shkruan REL.

Vlerësohet se 50 udhëheqës botërorë do të marrin pjesë në këtë ngjarje vjetore, që e cilëson veten si forumin kyç në botë ku debatohet për politikën ndërkombëtare të sigurisë. Qeveritë e Rusisë dhe Iranit nuk janë ftuar.

Nga vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, Kosovën do ta përfaqësojë kryeministri Albin Kurti, ndërkaq Serbinë presidenti i saj Aleksandar Vuçiq. Pjesëmarrja e tyre në të njëjtin forum po ndodh në kohën kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur për shkak të një vendimi të Bankës Qendrore të Kosovës për të ndaluar pagesat me dinarin serb. Ky vendim ka hyrë në fuqi më 1 shkurt në mes të kritikave ndërkombëtare dhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë se mospërfillja e kërkesës amerikane për shtyrje të vendimit ka ndikuar në cilësinë e raporteve mes Uashingtonit dhe Prishtinës.

Ndërkaq, numri dy i politikës amerikane, Kamala Harris, e cila ka marrë pjesë në Munih edhe më 2022 dhe 2023, kësaj radhe përballet me vështirësi të tjera. Ajo këtë vit përballet me detyrën që të sigurojë aleatët se Uashingtoni mbetet i përkushtuar për të mbrojtur sigurinë e tyre pasi Trump, që konsiderohet kandidati kryesor për të fituar nominimin e republikanëve për president, ka vënë në pikëpyetje mbrojtjen e aleatëve të NATO-s – të aleatëve që dështojnë të shpenzojnë mjaftueshëm për mbrojtjen e tyre – nga një pushtim i mundshëm nga Rusia.

Harris planifikon të zotohet se SHBA-ja kurrë nuk do të largohet nga obligimet e saj ndaj NATO-s dhe do të krahasojë angazhimin e Bidenit për angazhim global me pikëpamjet izoluese për Trumpin, citohet të ketë thënë një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë nga Reuters.

“Nënpresidentja do të riangazhohet për të mposhtur ideologjitë e dështuara të izolacionizmit, autoritarizmit dhe unilateralizmit… dhe do t’i denoncojë këto qasje shkurtpamëse ndaj politikës të jashtme, që janë të rrezikshme dhe destabilizuese”, tha zyrtari i Shtëpisë së Bardhë.

Harris pritet të takohet me Zelenskyn gjatë konferencës, tha Shtëpia e Bardhë.

Asaj në Munih do t’i bashkohet sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken i cili një ditë më parë qëndroi në Shqipëri, ku tha se Uashingtoni dhe Tirana kanë një “partneritet të jashtëzakonshëm”.

Nënpresidentja amerikane po ashtu pritet të shpreh besimin se populli amerikan do të vazhdojë të mbështesë qasjen e administratës Biden ndaj Ukrainës.

Ukraina, që varet shumë nga ndihma ushtarake dhe ekonomike që merr nga aleatët perëndimorë, po përballet me mungesë të municioneve dhe pajisjeve ushtarake në fushëbetejë dhe tani po përballet edhe me luftime intensive në qytetin lindor të Avdijivkës.

Kievi po ashtu me dëshpërim po kërkon që të rimbushë furnizimet me sisteme të mbrojtjes ajrore në mënyrë që të mbrojë civilët dhe infrastrukturën që goditen pothuajse përditë nga granatimet ruse dhe sulmet me dronë.

Harris me siguri do të pyetet për paketën e ndihmës ushtarake në vlerë prej 95.34 miliardë dollarë për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin që Senati, i udhëhequr nga demokratët, e miratoi më 13 shkurt. Por, kjo paketë mund të mos dërgohet asnjëherë për votim në Dhomën e Përfaqësuesve të kontrolluar nga republikanët, pasi këtë ndihmë e kundërshton Trumpi.

Ndërkaq, aleatët evropianë të Ukrainës kanë nisur të rrisin mbështetjen e tyre për Kievin.

Para shkuarjes në Munih, Zelensky fillimisht pritet që më 16 shkurt të qëndrojë në Berlin, ku do të takohet me kancelarin gjerman, Olaf Scholz. Lideri ukrainas më pas do të shkojë në Paris për nënshkrimin e një pakti të sigurisë me homologun e tij francez, Emmamuel Macron, kanë konfirmuar zyra e Zelenskyt dhe ajo e Macronit.

Berlini nuk ka publikuar detaje për takimin Zelensky-Scholz, por Gjermania po ashtu është duke negociuar një marrëveshje të sigurisë me Kievin.

Konferenca mbahet në kohën kur po vazhdon lufta mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – në Gazë.

Si lufta në Ukrainë, ashtu edhe ajo në Gazë, kanë rritur frikën se mund të zgjerohen dhe ka të ngjarë që këto çështje të trajtohen gjatë konferencës në Munih.

Konferenca e Sigurisë në Munih do të mbyllë punimet më 18 shkurt.