Do të përcillet sot për në banesën e fundit gjeniu i letrave shqip, Ismail Kadare!
Homazhet po mbahen në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, ku marrin pjesë familjare, miq, figura dhe personalitete të larta e dashamirës.
Kortezhi pritet të niset drejt varrezave të Tufinës në orën 12:30, ndërsa në orën 13:00 do të mbahen një minutë heshtje për nder të Kadaresë.
Kujtojmë se Këshilli i Ministrave miratoi dy ditë zie në nder të shkrimtarit Ismail Kadare, i cili mbylli sytë përgjithmonë sot në moshën 88-vjeçare. Edhe ditën e sotme flamujt në institucionet shtetërore dhe publike janë ulur në gjysmështizë.
Kolosi i letrave në gjuhën shqipe, Ismail Kadare ndërroi jetë në moshën 88-vjeçare. Ai lindi në Gjirokastër, më 28 janar të vitit 1936. Ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popullor (1970-’82), zv/kryetar i Frontit Demokratik dhe një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë.
Si shkrimtar u shqua kryesisht për prozë, por kontributi i tij u shtri edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime. Nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar. Veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë.
Në vitin 1996, Kadare u bë anëtar i përhershëm i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Është nderuar me shumë çmime ndërkombëtare, mes të cilëve Çmimin “Man Booker International” më 2005, çmimin “Princ i Asturias” për Artet më 2009 dhe Çmimin “Jeruzalem” më 2015. Viteve të fundit, ai e ndante kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë.