Një Bayern i dobët, Borussia Dortmund fiton Superkupën e Gjermanisë

Dortmundi i është hakmarrë Bayern Munichut për sezonin e kaluar të Bundesligës, duke e mposhtur rivalin e vet në Superkupën e Gjermanisë.

Marketing

Borussia Dortmundi e mposhti Bayern Munichun me rezultat 2:0 në Superkupën e Gjermanisë, të zhvilluar sot nga ora 20:30 në stadiumin “Signal Iduna Park”.

Bayerni kishte shpresuar se sonte do ta fitonte këtë titull për të katërtën herë radhazi, mirëpo ëndrrat e tyre u shuan në pjesën e dytë të ndeshjes, kur Dortmundi i shfrytëzoi rastet për ta siguruar trofeun e pestë të kësaj gare në histori të klubit.

Skuadra e Niko Kovacit kishte qenë më e mirë sesa ajo e Lucien Favre gjatë pjesës së parë, mirëpo Bayerni s’i shfrytëzoi mundësitë e mira që i pati dhe gjithçka mbeti për t’u vendosur në pjesën e dytë.

Kjo rezultoi në të mirë të Dortmundit, pasi që qysh katër minuta pas fillimit të pjesës së dytë, djemtë e Favre kaluan në epërsi, përmes një goli të bukur të Paco Alcacer, i cili e zhbllokoi rezultatin e ndeshjes.

Bayerni u motivua nga ky gol i Dortmundit dhe i erdhi shumë afër golit, veçanërisht pas rreth një ore lojë kur Dortmundi i shpëtoi golit pas një rrëmujë te vija e portës. Megjithatë, as këtë herë skuadra e Kovacit s’e gjeti golin.
Bayerni u ndëshkua për mundësitë e humbura sërish, kur talenti i ri anglez, Jadon Sancho, e dyfishoi rezultatin për skuadrën e vet, duke ia siguruar kështu edhe trofeun e Superkupës së Gjermanisë.

Dortmundi do të shpresojë që ta vazhdojë këtë formë të mirë edhe gjatë sezonit të Bundesligës, pasi që sezonin e kaluar e kishte humbur trofeun në xhiron e fundit, përkundër që e kishte mbajtur kreun e ligës për pjesën më të madhe të sezonit.

Marketing