Një ukrainas përforcon Maqedoninë e Veriut para ndeshjes me Kosovën

Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut në futboll pritet të përforcohet me një mbrojtës para ndeshjes me Kosovën.

Marketing

Maqedonia e Veriut e pret Kosovën në Shkup në kuadër të plejofit për “Euro 2020”. Termini i ndeshjes nuk është caktuar, por pritjet janë që ndeshja të luhet në vjeshtë, me shumë mundësi në tetor.

Sipas “sportmedia.mk”, në shtator futbollisti nga Ukraina, Yevhen Novak do të marrë pasaportën e Maqedonisë së Veriut dhe do të fitoj të drejtën që të luajë për këtë përfaqësuese. Ai do të jetë në dispozicion të përzgjedhësit Igor Angelovski për ndeshjen ndaj Kosovës.

Më 1 shtator Novak do të plotësoj kushtin kryesor për t’u bërë shtetas i Maqedonisë Veriore, ka njoftuar Sportmedia. Më 1 shtator ai do t’i bëjë pesë vjet qëndrim në Maqedoni të Veriut, që është kushti kryesor. Novak zyrtarisht i është bashkuar Vardarit të Shkupit më 31 gusht të vitit 2015. Ai plotëson edhe kushtin tjetër për të luajtur për Maqedoninë Veriore, nuk ka luajtur për seniorët e Ukrainës.

Novak 31-vjeçar ka një ndeshje me U-21 të Ukrainës. Ai është formuar si lojtar te Dynamo e Kievit. Por nuk ka depërtuar në ekipin e parë të klubit më të madh ukrainas. Ka luajtur për Sevastopolin dhe Volyn Lutsk, ndërsa prej vitit 2015 është te Vardari i Shkupit.

Novak vlerësohet prej mbrojtësve më të mirë të Vardarit dhe është raportuar se do të jetë përforcim i madh për Maqedoninë e Veriut.