Një viktimë dhe dy të plagosur brenda pak orësh në Malësi të Madhe

Një tjetër person ka mbetur i plagosur me armë zjarri mbrëmjen e sotme.

Marketing

Një 28-vjeçar, është qëlluar me armë zjarri në Malësinë e Madhe. Pas një konflikti për motive të dobëta mes shtetasve E. G., e A. K., me shtetasin S. B., ka mbetur i plagosur me armë zjarri pistoletë shtetasi E. G., 28 vjeç.

Ai është dërguar në spitalin rajonal të Shkodrës me plagë në shpatull. Pas ndërhyrjes së mjekëve, i plagosuri është jashtë rrezikut për jetën. Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor. Ndërkohë janë ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja e zonës me qëllim kapjen e shtetasit A. K, i përfshirë në konflikt. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Kjo është ngjarja e dytë kriminale e regjistruar brenda pak orësh në Malësinë e Madhe. Në Malin e Shoshit, në Dukagjin të Shkodrës ndodhi një atentat pak orë më parë.

Persona të paidentifikuar kanë qëlluar me breshëri plumbash ndaj babë e bir, Zef dhe Gjin Guri. Për pasojë, ka mbetur i vrarë Zef Guri dhe i plagosur rëndë, Gjini.

Gjin Guri është një emër i njohur për drejtësinë pasi ka qenë i dënuar me 7 vite burg për kanosje dhe armëmbajtje pa leje.

Në vitin, 2015, u arrestua pasi qëlloi me armë zjarri ndaj policisë që ushtronte kontrolle për kanabis në Dukagjin ndërsa në 15 nëntor të vitit 2021, në lokalin e tij në Malin e Shoshit, u vendos tritol.

Marketing