Nobelisti George P. Smith kritikoi Izraelin për pushtimin e territorit palestinez

Në adresimin në një konferencë në Suedi, Smith, profesor nga Universiteti amerikan Missouri, tha se nevojitet t’i jepet mbështetje zgjidhjes me dy shtete për të zgjidhur çështjen izraelito – palestineze

Marketing

Profesori George P. Smith, fitues i Çmimit Nobel për Kimi në vitin 2018, deklaroi se Izraeli vazhdon me shkeljen e normave juridike ndërkombëtare ashtu që edhe më tej pushton territore palestineze, raporton Anadolu Agency (AA).

Në adresimin në një konferencë të mbajtur në organizim të Shoqatës palestineze në Stokholm të Suedisë, Smith, profesor nga Universiteti amerikan Missouri, tha se nevojitet t’i jepet mbështetje zgjidhjes me dy shtete për të zgjidhur çështjen izraelito – palestineze.

“Popujt palestinez dhe izraelit, që kanë të drejtat e njëjta, doemos duhet jetojnë në atë rajon brenda dy shteteve. Por, Izraeli, që nuk njeh rregulla dhe norma, qëndron si pengesë e kësaj ideje. Palestinezët doemos duhet të kthehen në rajonin e pushtuar dhe t’u kthehen të gjitha të drejtat e marra”, tha Smith që gjendet në Stokholm për të marrë Çmimin Nobel.

Ai theksoi se janë tërësisht të papranueshme veprimet e Izraelit që bën në Gazë. “Izraeli jo vetëm që ushtron presion ndaj popullit palestinez, por po ashtu ushtron presion edhe ndaj hebrenjve që janë të shqetësuar me politikën e gabuar të Izraelit. Izraeli duhet të ndalet me këto veprime të maltretimit”, tha nobelisti.

George P. Smith së bashku me shkencëtarët Frances H. Arnold dhe Gregory P. Winter fitoi Çmimin Nobel për Kimi.