NUREDINI: Arritja e qëllimeve ambicioze klimatike në përputhje me politikat e BE-së është e mundur me një qasje bashkëpunuese dhe të integruar

Në panelin e parë të sesionit me titull “Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor: Korniza Zbatuese për një rajon të qëndrueshëm dhe neutral klimatik” mbajtur në kuadër të edicionit të dytë të Forumit të Prespës për Dialogun 2022, i udhëhequr nga Ministri Nuredini, për pikëpamjet, sfidat dhe reflektimet mbi zgjidhjet e mundshme si dhe drejtimet për sigurimin e zhvillimit të gjelbër rajonal, diskutoi me të ftuarin special David Moran, Ambasador Rajonal për Ndryshimet Klimatike në Mbretërinë e Bashkuar, Ana Novakoviq-Gjuroviç, Ministre e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Urbanizmit në Mal të Zi, Almira Xhembula, Zëvendësministre e Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, Festim Halili, Drejtor i Përgjithshëm i Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik nga Maqedonia e Veriut, Igli Hasani, Koordinator i OSBE-së për Aktivitete Ekonomike dhe Mjedisore dhe Bojana Stanojevaska-Peçurovska, nga Qendra për ndryshime klimatike në Maqedoninë e Veriut.

Marketing

Gjatë informimit për qëllimet ambicioze klimatike të Republikës së Maqedonisë së Veriut për arritjen e neutralitetit klimatik deri në vitin 2050 dhe qëllimet energjetike dhe klimatike për vitin 2030 në përputhje me kornizën e Komunitetit të Energjisë dhe ligjit të BE-së, të përcaktuara në politikat strategjike dhe planifikuese të vendit, si dhe gatishmërinë për monitorimin e politikave evropiane dhe zhvillimin e bashkëpunimit rajonal, ministri Nuredini në fjalën e tij përshëndetëse theksoi: “Agjenda e gjelbër dhe qëndrueshmëria nuk janë vetëm tendenca dhe slogane të modës që secili dëshiron t’i përfshijë në temën e tij, por çështje që kërkojnë fokus të veçantë dhe punë serioze. Në kohë krizash të njëpasnjëshme, ndryshimi klimatik nuk e ka zvogëluar urgjencën, por përkundrazi, kërkon që ne të kontribojmë intensivisht për zbutjen dhe përshtatjen e shpejtë. Por askush nuk mund të ketë sukses i vetëm në këtë mission, andaj nevojitet bashkëpunim intensiv dhe veprime të përbashkëta strategjike për të arritur qëllimet e përcaktuara klimatike dhe për të siguruar një rajon të qëndrueshëm dhe neutral ndaj klimës, si pjesë e komunitetit më të gjerë botëror.”

Pavarësisht nevojës së qartë për tranzicione të mëdha në sektorin e energjisë që do të përfshijë një reduktim të konsiderueshëm të përdorimit të lëndëve djegëse fosile, elektrifikimin e përhapur, përmirësimin e efikasitetit të energjisë dhe përdorimin e karburanteve alternative, Nuredini vuri në dukje se nevojiten rregullime dhe transformime në bujqësi, pylltari dhe tokë e cila mund të sigurojë reduktime të mëdha në emetimet e gazeve serrë dhe të arrijë neutralitetin e karbonit.

Sipas Nuredinit, një nga rreziqet më të mëdha klimatike në rajonin e Mesdheut që pritet të vazhdojë në të ardhmen është mungesa e ujit dhe implikimet e tij për sektorët kryesorë ekonomikë dhe ekosistemet.

Menaxhimi bashkëpunues dhe i integruar i burimeve ujore mbetet një sfidë për bashkëpunimin rajonal dhe është qasja e duhur për të siguruar një qasje të qëndrueshme dhe të avancuar për ruajtjen e burimeve të pakta, e cila do t’i vendosë ekonomitë e rajonit në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm.