Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor njoftoi se për të është kënaqësi e madhe të informoj qytetarët që në seancën e djeshme të Qeverisë së RMV-së, u miratuan iniciativat e dikasterit të tij për mbrojtjen e dy zonave në vendin tonë: Mali Sharr dhe Malet e Osogovës. “Qeveria solli vendime për pranimin e propozimeve të MMJPH-së për shpallje të malit Sharr për zonë të mbrojtur në kategorinë Park nacional dhe për shpalljen e maleve të Osogovës për zonë të mbrojtur të kategorisë V-pjesë e mbrojtur”, tha Nuredini Ai theksoi se statusi i mbrojtjes u përcaktua nga një ekip ekspertësh të cilët kanë bërë një studim për valorizimin e zonaveme çka është vërtetuar se ato përmbajnë nivel të lartë të vlerave biologjike dhe kulturore për ruajtjen e të cilave duhet të merren masa. Me shpalljen e këtyre zonave, përveç përmbushjes së qëllimeve kombëtare strategjike dhe detyrimeve ndërkombëtare për të mbrojtur natyrën, përkatësisht diversitetin dhe biodiversitetin e rajonit, shteti do të përfitojë gjithashtu, veçanërisht komunat që do të bëjnë pjesë në zonën e mbrojtur dhe qytetarët. “Përfundimi i këtij procesi do të rrisë mundësitë për bashkëpunim ndërkufitar me vendet fqinje, veçanërisht për sa i përket faktit që Mali Sharr do të bëhet një nga parqet më të mëdha kombëtare në Evropë. Në të njëjtën kohë, mbrojtja e këtyre zonave do të thotë përparim në përmbushjen e direktivave të BE-së për habitatet dhe zogjtë”, shtoi më tej Nuredini. Është e rëndësishme të theksohet se menaxhimi i duhur i zonave të mbrojtura nënkupton përdorimin e potencialit të madh për zhvillimin ekonomik lokal, gjegjësisht menaxhimin e qëndrueshëm të pasurive natyrore, duke ofruar shërbime eko-sistemore. Kjo përfshin mbrojtjen, ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të vlerave natyrore, rigjallërimin e fshatrave brenda dhe përreth zonës së mbrojtur përmes zhvillimit të ekoturizmit, bujqësisë tradicionale dhe bagëtisë. “Në vendin tonë tani më kemi parqe nacionale, siç është parku nacional Pelister, ku popullata lokale në vazhdimësi zhvillon aktivitete, andaj shpallja e zonave të mbrotjura nuk nënkupton ndërprerje të të gjitha aktiviteteve, por aktivitete të kontrolluara, të planifikuara dhe shfrytëzim të qëndrueshëm të pasurive natyrore. Unë dëshiroj t’ju informoj se në përputhje me procedurat ligjore për shpallje të zonave të mbrotjura, në periudhën në vijim do të mbahen debate publike në bazë të propozimeve të popullatës lokale, si dhe të gjithë palëve të interest. Pas harmonizimit të mendimeve dhe vërejtjeve, do të përpilohen propozime përfundimtare për shpalljen e këtyre lokacioneve dhe do t’i dërgohen Qeverisë për miratim”, theksoi ai. Ky hap i Qeverisë dhe pranimi i propozimeve të Ministrisë për mjedis jetësor dhe planifikim hapsinor nënkupton njohje dhe përkushtim për mbrojtje të pasurive tona natyrore për të cilat publiku ekspert është angazhuar për më shumë se 20 vjet. Andaj, ky vendim është hapi i parë dhe më kryesor për t’i shpallur përfundimisht këto zona të mbrojtura. Ju siguroj që do të konsiderohen të gjitha kërkesat nga palët e interesit për të siguruar mbrojtjen e natyrës pa dëmtuar popullatën lokale, dhe për të siguruar zhvillimin e vendeve sipas standardeve evropiane dhe parimeve të qëndrueshmërisë.