Nxënësit në “Arseni Jovkov” ende pa libra

Nxënësit e shkollës së mesme ekonomike dhe juridike “Arseni Jovkov” po ankohen se ende nuk i kanë marrë librat shkollor dhe se po hasin vështirësi në procesin mësimor. Madje disa nxënës të vitit të tretë, thonë se që nga viti i parë përballen me mungesën e librave dhe se materialin shpeshherë janë detyruar ta gjejnë përmes internetit.

Marketing

“Prej vitit të par ne nuk kemi libra. Është viti tret që përballemi me mungesa të librave. Ora është shumë e vështir, është 45 minuta dhe na shkon duke marrë shënime se në qoftë se nuk kemi libra patjetër duhet me marr shënime, dhe nuk na mbetet aspak kohë që të shpjegojmë mësimin. E përpunojmë vet në shtëpi dhe kjo është shumë problem për neve, por edhe për profesorët domethënë problem është anasjelltas. Nuk kemi asnjë libër jo vetëm un por krejt shkolla”, tha Valon Nuhiu, nxënës i vitit të tretë.

“Prej vitit të par nuk kemi libra. Deri tash shpesh jemi dashtë edhe me bo fotokopje, kemi marr më shumë shënime, domethënë nuk kemi pas asnjë libër deri tash, edhe e kemi shumë të vështir t’i mbajmë dhe orët mësimore. Nuk e kam asnjë libër, kemi kërkuar, na thonë se ministria do të na i sjell, nuk i kanë sjell asnjëherë deri tash”, pohoi Erijona Jahiu.

“Deri tash nuk jemi furnizuar me asnjë libër. Gjatë orës mësimore e kemi vështirë të mbahet mësim, sepse duhet me marr shënime, edhe fotokopje me i bë librat, profesorët na kanë than se kanë me na pru libra, ende nuk janë librat askund, shpesh kemi marr mësime prej telefonit në google”, tha Amra Kamberi.

Për mungesën e librave ankohen edhe profesorët. Thonë se pa libra është shumë vështirë të realizohet ora mësimore.
“Mungesa e librave është problem për çdo mësimdhënës, për çdo profesor për realizimin e orës. Mungesa e librave e dëmton procesin e zhvillimit arsimor, gjithashtu e dëmton edhe nxënësin. Ne si profesor po mundohemi të bëjmë maksimumin nga ata kushte të cilat i kemi dhe i posedojmë që të mos të dëmtohet nxënësi, nxënësit i duhen notat ne mundohemi, nëpërmes telefonave, kopjeve që të ju japim nxënësve sado pak materiale që të kenë ku të mbështetën që të përgatiten për procesin e notimit”, tha profesori Faruk Avdiu.

Përgjegjësi i paralelëve shqipe Nazmi Rrahmani tha se çdo fund vit bëjnë kërkesë deri tek Ministria e Arsimit për sjelljen e librave të reja, sepse me ato që i kanë nuk mund t’i furnizojnë të gjithë nxënësit.

“Disa vite me radhë nuk ka libra të reja shkollore. Mundohemi edhe tentojmë me ato libra, por me ato libra mundohemi me i nda pjesërisht nëpër klasa edhe pse nuk mund të mbulohen të gjithë nxënësit me libra shkollor. Secilin fund vit shkollor ose më saktë në qershor, dërgojmë kërkesë në ministrin e arsimit dhe shkencës. Prej librave të reja kanë mbërri Gjuha angleze, maqedonase, frënge dhe gjuha gjermane. Për librat e lëndëve profesionale presim të na vijnë ditëve në vijim”, tha përgjegjësi, Nazmi Rahmani.

TV21 kërkoi përgjigje edhe nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për rastin konkret, por nga atje deri në këtë moment nuk kanë dhënë përgjigje. Por para disa ditëve Ministri Arbër Ademi tha se Furnizimi publik dhe ankandi elektronik ka përfunduar dhe se së shpejti të nënshkruhet vendimi për përzgjedhjen e ofertës më të volitshme dhe librat të cilat nuk janë botuar në katër-pesë vitet e fundit do të botohen dhe do të shpërndahen deri tek të gjitha shkollat.