“O la, fratello, tigër”: Zbulohen sms-të që “fundosën” Arben Ahmetajn

Mesazhet e sekuestruara nga Prokuroria e Posaçme sugjerojnë se Ahmetaj, asokohe deputet në Kuvendin e Shqipërisë, luante rol në suksesin e bizneseve të Mërtirit përmes kontakteve të tij me kryebashkiakët socialistë.

Marketing

Në një mesazh të datës 13 shtator 2012, Ahmetaj i kërkon Baftjar Zeqos, asokohe kryetar i Bashkisë së Fierit një takim me të dhe me Mërtirin.

“I dashur, dua të ulemi këto ditë për kafe unë, ti dhe Klod Mërtiri,” citohet njëri prej mesazheve në dokumentet e Prokurorisë. Në 15 shtator, Ahmetaj e ka përsëritur kërkesën për takim me Zeqon dhe ka marrë një “OK” prej tij.

Roli i Ahmetajt në ecurinë e bizneseve të Mërtirit dokumentohet sipas Prokurorisë së Posaçme edhe në materialet e përfituara nga kompjuteri i Klodian Zotos, ku janë gjetur të ruajtura mesazhe të shkëmbyera mes tij dhe Mërtirit.

Një mesazh i datës 14 qershor 2012 sugjeron se Ahmetaj mbahej në dijeni të një takimi mes Mërtirit dhe Fadil Nasufit – kryetar i bashkisë së Beratit për vitet 2003-2015.

“Mbarova punë, po nisem për në Tiranë. Kalofsh mirë,” i shkruan Mërtiri Ahmetajt. Ndërsa ky përgjigjet: “E di, më tha Nasufi”.

Mesazhet telefonike në duart e SPAK tregojnë se Ahmetaj vihej në dijeni për procedurat dhe vështirësitë me të cilat përballej Mërtiri, po aq sa edhe për sukseset e tij.

Më 30 maj 2012, në një komunikim me Mërtirin, Ahmetaj e pyet se çfarë u bë në QKR.

“Mbaroi me sukses. Urime PS Përmet,” i shkruan Mërtiri.

I kontaktuar nga BIRN ish-kryebashkiaku i Fierit, Baftjar Zeqaj pretendoi se nuk i kujtoheshin bisedat me Ahmetaj për Mërtirin të referuara nga Prokuroria. Ndërkohë, Fadil Nafusi dhe Arben Ahmetaj nuk ishin të arritshëm për koment.

Gjatë deklarimeve të tij në SPAK, Ahmetaj është pyetur në lidhje me punët e Mirel Mërtirit dhe është përgjigjur: “në dijeninë time është pasë marrë me telekomunikacion dhe projekte bashkish, por nuk e di me çfarë projektesh konkretisht”.

“…personi nën hetim, Arben Ahmetaj në fakt e ka ditur saktësisht se me çfarë projektesh merreshin shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri dhe madje ka qenë i angazhuar drejtpërdrejt edhe vetë për arritjen e suksesit të tyre,” vlerëson SPAK në dokumentet hetimore./BIRN

Marketing