OBSH paralajmëron: Rreziku i përhapjes së sëmundjeve në Gaza është në rritje

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se rreziku i përhapjes së shpejtë të sëmundjeve infektive nëpër Gaza është rritur.

Marketing

Sipas tyre mungesa e karburantit ka mbyllur impiantet e shkripëzimit, duke rritur ndjeshëm shanset e infeksioneve bakteriale si diarreja.

Kjo ka penguar gjithashtu mbledhjen e mbetjeve, duke krijuar një mjedis për përhapjen e gjerë të insekteve dhe brejtësve që mund të bartin e transmetojnë sëmundje.

“Tendencat aktuale të sëmundjes janë shumë shqetësuese. Situata është veçanërisht shqetësuese për pothuajse 1.5 milion njerëz të zhvendosur në të gjithë Gazën, veçanërisht ata që jetojnë në strehimore të mbipopulluara rëndë me akses të dobët në objektet higjienike dhe ujë të sigurt, duke rritur rrezikun e transmetimit të sëmundjeve infektive”, njoftoi OBSH.

Që nga mesi i tetorit, më shumë se 33,500 raste të diarresë, pothuajse 9,000 raste zgjebe dhe morra, ndërsa 54,866 raste të infeksioneve të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes janë raportuar në OBSH.

Zvogëlimi i furnizimeve të pastrimit e ka bërë thuajse të pamundur ruajtjen e parandalimit bazë të infeksionit në institucionet shëndetësore. Sipas organizatës mungesa e barnave për trajtimin e sëmundjeve ngjitëse ka rritur më tej rrezikun e përhapjes së tyre.

Marketing