Oda e Farmacistëve e RMV-së i ndau mirënjohje Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë

Programi studimor Farmaci, i Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë në Universitetin e Tetovës, gjithnjë e më shumë po e funksionalizon rolin e tij në rrjedhat zhvillimore institucionale të RMV -së. Qasja serioze dhe sistematike në zhvillimet ndërkombëtare dhe vendore ndihmon përditësimin e informacionit shkencor dhe profesional që përbën boshtin kryesor të zhvillimit strategjik të programit studimor të Farmacisë.

Marketing

Bashkëpunimi intensiv akademik ka rezultuar me vlerësime tejet pozitive nga institucionet relevante partnere, duke vlerësuar performancën e punës përmes komunikimit dhe bashkëpunimit të drejtëpërdrejtë me kuadrin e fakultetit, por edhe përmes qasjes shumë profesionale të të diplomuarve të UT-së.

Më 25 shtator 2019, me temën “Barna të sigurtë dhe efektivë për të gjithë”, u shënua dita botërore e farmacistëve. Për ta shënuar këtë datë, organizatorët përzgjodhën këtë moto, me qëllim që të japin një porosi të qartë për rolin e farmacistit, si anëtar i trekëndëshit: mjek – pacient – farmacist.

Kjo ditë u shënua edhe nga Oda e Farmacistëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në të cilën morën pjesë Doc.Dr. Edita Alili Idrizi – Shef i programit studimor të Farmacisë dhe Mr.Sc. Sihana Ahmeti Lika – prodekane për Arsim në Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë. Në këtë ditë, FSHM-së së Universitetit të Tetovës i’u nda mirënjohje për bashkëpunim të mirëfilltë me Odën e Farmacistëve.

Njëherazi, për tre studentët më të dalluar, nga tri universitetet shtetërorë të vendit tonë, Universitetit “Kirili dhe Metodi” në Shkup, Universitetit të Tetovës dhe Universitetit “Goce Dellçev’ në Shtip ju ndanë vauçerë për lirim nga participimi për liçencim.

Nga universiteti ynë, ky çmim i takoi Mr.Ph. Saranda Sulejmanit, si studente me notë mesatare më të lartë e diplomuar gjatë vitit akademik 2018/2019.
Universiteti i Tetovës dhe Oda e Farmacistëve, bashkëpunimin mes tyre e kanë institucionalizuar vite më parë dhe si rezultat i punës së përbashkët, sukseset e tyre shkencore janë për t’u admiruar.