OEM: Biznesi kundër ngrirjes së çmimeve

Sektori i biznesit shprehet kundër ngrirjes së çmimeve. Ata propozojnë që të subvencionohet pjesa e popullsisë që ka vërtet nevojë, por edhe të ndihmohet duke ulur drejtpërdrejt taksat doganore. Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike, Antoni Peshev, konsideron se ka mekanizma që nuk përdoren sa duhet, përkatësisht rezervat shtetërore.

Marketing

“Të mos shkojmë duke ngrirë çmimet, por duke subvencionuar atë popullsi që ka vërtet nevojë. Ngrirja e çmimeve i vë në mënyrë të panevojshme kompanitë, produktet e të cilave janë të ngrira në një pozitë të pafavorshme ekonomike dhe produktet u shiten atyre grupeve të popullsisë për të cilët diferenca e çmimeve nuk do të thotë asgjë. Prandaj, ne shumë më tepër i respektojmë masat e Qeverisë që kanë të bëjnë me ndërhyrjen e drejtpërdrejtë në fushën e reduktimit doganor, ndihmën me importin e repromaterialeve, subvencionimin e energjisë elektrike dhe mekanizmat që e bëjnë prodhimin vendor më konkurrues, sesa ngrirjen direkte të çmimeve.”, – deklaroi drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike, Antoni Peshev.

Ngrirja e çmimeve, thekson Peshev, është një masë që nuk mund të zgjasë shumë dhe pas përfundimit të saj do të ketë sërish rritje të çmimeve.

“Kjo masë nuk mund të zgjasë shumë dhe pas përfundimit të saj do të kemi sërish problemin e rritjes së çmimeve. Ndërkohë, kompanitë, produktet e të cilave u prekën nga ngrirja e çmimeve humbën shumë para. Prandaj, ne qëndrojmë gjithmonë për masa tregu dhe jo populiste.”, – theksoi drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike, Antoni Peshev.

Këto prononcime u bënë para takimit të afaristëve nga Maqedonia e Veriut me ato austriak, i cili kishte për qëllim rritjen e bashkëpunimit ndërmjet kompanive.