UNICEF në bashkëpunim me ICTSlab ka sjellë në Shqipëri programin PONDER, një nismë e edukimit jo-formal që synon të nxisë tek të rinjtë e moshave 14-21 vjeç aftësinë e të menduarit kritik bazuar në një kurrikulë inovative. Të rinjtë pjesëmarrës mësuan janë njohur me qasjet kritike ndaj mediave, shkrimin dhe leximin kritik mediatik, të kuptuarit dhe të sfiduarit e informacioneve subjektive si dhe për ta u mundësua praktika e punës në institucione të njohura mediatike.
Ema Meçaj, nxënëse në vitin e dytë në shkollën “Sami Frashëri” në Tiranë, thotë se pjesëmarrja në PONDER e ka rritur në shumë aspekte. “Aftësitë e fituara në këtë program më kanë ndihmuar për të përmirësuar nivelin e të shkruarit, për të zhvilluar mendimin kritik si dhe për të ngritur zërin në lidhje me vendimmarrjet për të rinjtë dhe fuqizimin e tyre.”
Ajo ka qenë një e re e angazhuar në shumë aktivitete sensibilizuese dhe ndërgjegjësuese në lidhje me mbrojtjen dhe respektimin të drejtave të fëmijëve dhe PONDER për Emën ka shërbyer si një platformë në shërbim të nevojës për të ngritur zërin për shumë çështje që shqetësojnë një gjeneratë të rinjsh në çdo cep të Shqipërisë.
“Shkollat tona nxjerrin studentë shumë të mirë, por jo domosdoshmërisht të rinj të zotë, të aftë dhe të pavarur për të gjetur veten në tregun e punës dhe në jetë,” beson Ema. Ajo thotë se kjo duhet të ndryshojë, dhe të rinjtë duhet të përfshihen në aktivitete krijuese dhe inovative, në vendimmarrje, si duhet të kenë mundësinë për të ngritur zërin dhe për të shprehur mendimet e tyre në familje, shkollë dhe komunitet.
Pjesëmarrja në PONDER e dërgoi Emën në një intership pranë Top Channel, eksperiencë që ajo e konsideron si shkollë alternative. “Gjatë intershipit unë vura në praktikë ato që dija nga eksperienca ime dhe njohuritë e marra gjatë programit PONDER. Unë tashmë jam një gazetare e re, falë mbështetjes së madhe qe mu dha në kohën e duhur nga ICTSlab dhe UNICEF.” Duke punuar për programin Wake Up Ema pati mundësinë të prekë lajmin, ta verifikojë atë me paanësi dhe integritet.
Një aplikacion i ri i zhvilluar nga PONDER është i disponueshëm për këdo që dëshiron të testojë aftësitë e tij në dallimin e fakteve të vërteta dhe lajmeve të rreme. Ai do të trajnojë të rinjtë me mendimin kritik kur përballen me informacione dhe mesazhe në median sociale por edhe atë tradicionale. /PCWorld Albanian