Opozita shqiptare zyrtarizon qëndrimet për raundin e dytë presidencial

Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa në prag të zyrtarizimit të qëndrimeve të tyre për orientimin ose jo të votuesve të Rekës në rrethin e dytë të zgjedhjeve, njofton “TVM2”.

Marketing

Partia e Ziadin Selës mblidhet të enjten, ndërkaq kryesia qendrore e partisë së Bilall Kasamit qëndrimet zyrtare do t’i kumtojë pas mbledhjes së sotme.

Në parim nuk pritet ndryshim të qëndrimit të dalë pas votimit të rrethit të parë, se opozita shqiptare nuk do ta orientojë elektoratin e Blerim Rekës se për kë duhet votuar.
Zëdhënësi i Aleancës për Shqiptarët, Flakron Bexheti, thotë se brenda partisë nuk ka zëra për ndryshim të qëndrimit fillestar dhe se ata nuk do të bëjnë tregti me votën shqiptare.

“Kryesia qendrore e Aleancës për Shqiptarët do të mblidhet të enjten. Në takim pritet të diskutohet rreth votës shqiptare. Nuk ekzistojnë zëra brenda partisë për ndryshim të qëndrimit që doli nga rrethi i parë, i cili ka të bëjë me mosndikimin si parti në elektoratin shqiptar që votuan Blerim Rekën. Do të lëmë votuesit vetë të vendosin se kë do të mbështesin në rrethin e dytë”,- shprehet Flakron Bexheti.

Në vijë të njëjtë edhe nga Lëvizja Besa, njofton nënkryetari i partisë, Kastriot Rexhepi.

“Ne nuk jemi pronar të votës së shqiptarëve dhe nuk do të bëjmë orientimin e votuesve se kah do të duhet të votojnë. I lëmë ata që vetë të vendosin se kë do të votojnë. Ky ishte edhe qëndrimi ynë nga rrethi i parë. Megjithatë, qëndrimin zyrtar do ta themi pas mbledhjes së kryesisë qendrore të partisë”,- shprehet nënkryetari i Lëvizjes Besa, Kastriot Rexhepi.

Pas përmbylljes së rrethit të parë të zgjedhjeve, edhe vetë kandidati, Blerim Reka, deklaroi se votat e tij lirshëm le të përfundojnë në cilindo prej dy kandidatëve.

Në gjah të thuajse 80 mijë votave të Blerim Rekës më 5 maj do të jenë kandidati konsensual, Stevo Pendarovski, dhe Gordana Siljanovska Davkova, e mbështetur nga VMRO-DPMNE.