Osmani do t’i drejtohet Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Nju Jork dhe Këshillit të Përhershëm të OSBE-së në Vjenë

Sot, një vit pas invazionit rus në Ukrainë, Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, do t’i drejtohet Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) në Nju Jork, në debatin e hapur për Ukrainën me temën “Forcimi i përgjegjësisë dhe drejtësisë për shkeljet e së drejtës ndërkombëtare”.

Marketing

Fjalimi vjen pas seancës së djeshme të 11-të të jashtëzakonshme të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku Osmani dënoi ashpër agresionin ushtarak të Federatës Ruse kundër Ukrainës.

Në të njëjtën kohë, në cilësinë e kryesuesit të OSBE-së, dje përmes video-adresës iu drejtua Sesionit Dimëror të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Vjenë. Në fjalën e tij, ai rikujtoi edhe një herë se ky takim vjen në një moment shumë të vështirë për të gjithë arkitekturën evropiane të sigurisë, si dhe për vetë Organizatën, duke u bërë thirrje vendeve pjesëmarrëse të mbajnë besimin në OSBE, të inkurajojnë vullnetin politik dhe i mundësojnë Organizatës të vazhdojë mandatin e tij unik.

Gjatë ditës, Osmani pati një takim në Nju Jork edhe me nënsekretaren e OKB-së për Çështje Politike dhe Paqe, Rozmari Di Karlo, si dhe takime të tjera dypalëshe me ministrat e jashtëm të Estonisë, dhe Hungarisë.

Në takimin me Di Karlo Osmanin, ai përsëriti edhe një herë mesazhin se diplomacia është e vetmja zgjidhje për zhvillimet shqetësuese në terren, por u diskutua edhe për forcimin e rolit të Kombeve të Bashkuara në përballjen me sfidat globale.

“OKB-ja ka qenë një nga partnerët më të afërt të OSBE-së që nga viti 1993, duke nënshkruar Kornizën e Bashkëpunimit dhe Koordinimit. Në agjendën tonë të përbashkët, ndër të tjera, është zgjidhja e konflikteve dhe ndërtimi i paqes. Në rrethanat aktuale, ne jemi të vetëdijshëm se ekziston një nevojë e vazhdueshme për t’u marrë me konfliktet afatgjata në të gjithë rajonin e OSBE-së dhe si kryesuese në vitin 2023, Maqedonia e Veriut do të përpiqet të gjejë një zgjidhje sipas prioriteteve të saj, duke shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm”, tha Osmani në takimin me Di Karlon.

Gjatë bisedës me nënsekretaren e OKB-së, ai iu referua edhe angazhimit të vazhdueshëm të OKB-së në Maqedoninë e Veriut, për të cilin tha se kontribuon në forcimin e kapaciteteve tona në sektorët kyç për të përmbushur kërkesat për anëtarësim në BE: reformat në fushën e qeverisja e mirë, lufta kundër korrupsionit, reformat në drejtësi, si dhe forcimi i kohezionit social.

Në takimin me Ministrin e Punëve të Jashtme të Estonisë, Urmas Reinsalu, Osmani foli për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe vazhdimin e projektit trepalësh në fushën e digjitalizimit për zbatimin e përvojës estoneze në transformimin digjital në Maqedoninë e Veriut.

Në fokus të takimit me Ministrin e Punëve të Jashtme të Hungarisë, Peter Sijarto, ishte mbështetja hungareze në procesin tonë të integrimit europian, me të cilin, ndër të tjera, iu referua bashkëpunimit dinamik ekonomik mes vendeve në aspektin energjetik, bujqësor, menaxhimin e ujit, arsimin, shkencën dhe teknologjinë, turizmin, si dhe ndryshimet klimatike.

Takimet bilaterale të Osmanit në Nju Jork vazhdojnë edhe sot, ndërsa takimet me diasporën priten më 25 shkurt.