Osmani: Integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE është skenari më racional dhe më logjik

Integrimi i plotë i të gjitha vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE është skenari më racional dhe më logjik, i cili do të jetë në funksion të krijimit të një Unioni që do të ekzistojë i bashkuar, i begatë dhe në paqe, theksoi sot ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani në fjalimin në konferencën shkencore ndërkombëtare me temë “Ballkani ndërmjet integrimit evropian dhe bashkëpunimit rajonal”.

Marketing

Në fjalimin në konferencën, të organizuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, Osmani u përqendrua në integrimin evropian dhe bashkëpunimin rajonal, duke i vlerësuar si përcaktim i ynë strategjik dhe zgjedhje për të ardhmen.

“Ballkani Perëndimor, ose siç preferoj ta quaj, Evropa Juglindore nuk është një ishull i izoluar, por ndodhet në zemër të Evropës. Të gjitha lidhjet tona, të gjitha rrugët tona kryqëzohen me BE-në. Procesi i integrimit evropian dhe procesi i bashkëpunimit rajonal janë plotësues dhe shpiejnë në të njëjtin qëllim, anëtarësimin e këtij rajoni në BE” theksoi ministri Osmani.

Siç bëri të ditur Ministria e Punëve të Jashtme, në këtë ngjarje patën fjalime edhe përfaqësues të shumtë të sferës akademike nga vendi, rajoni dhe më gjerë.