Osmani: Jemi kundër kërkesës së VMRO DPMNE-së për amnisti

Zëvendëskryeministri Bujar Osmani në lidhje me idenë e pajtimit tha se edhe si anëtar i BDI-së si dhe në pozitën e zëvendëskryeministrit mbështet idenë e kryeministrit Zoran Zaev për domosdoshmërinë e pajtimit.

Marketing

“Ne mbështesim idenë e pajtimit, por ajo që do të promovojë parimin e mosndëshkimit në këtë vend është e papranueshme. Ne nuk pajtohemi me propozimin e VMRO-DPMNE-së për amnisti, por mbështesim krijimin e një organi koordinues për pajtim kombëtar në Kuvend”, tha Osmani.

Në këtë kontekst ai shton se koordinimin e trupit duhet të drejtojnë deputetët, dhe jo kryetari i parlamentit, sepse atëherë do t’i jepej një tjetër karakter.

“Qëndrimi ynë është se autorët e drejtpërdrejtë të dhunës së 27 prillit dhe autoritetet që kanë urdhëruar dhunën nuk duhet t’i nënshtrohen asnjë faljeje. Nëse ka pasur njerëz që ishin dëm kolateral, të cilët u gjetën aty dhe nuk kishin ndërmend të bëjnë dëm, ata duhet të jenë pjesë e shqyrtimit të trupit koordinues”, tha Osmani