Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në cilësinë e Kryesuesit të OSBE-së, ka takuar sot Përfaqësuesin Special të ShBA-së për Klimën, Xhon Kerri, në margjinat e Konferencës së OSBE-së për Ndryshimet Klimatike në Vjenë.
Osmani dhe Kerri diskutuan ndryshimet klimatike dhe ndikimin e tyre në sigurinë dhe stabilitetin në të gjithë rajonin e OSBE-së.
“Vendosja e kësaj çështjeje në krye të agjendës së OSBE-së tregon përkushtimin dhe gatishmërinë e OSBE-së për të ofruar zgjidhje. Dhe Maqedonia e Veriut punon me përkushtim në përballjen me sfidat e bartura nga ndryshimet klimatike. Me nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe zbatimin e iniciativave të përbashkëta, Maqedonia e Veriut ka për qëllim të zbusë ndikimin e ndryshimeve klimatike dhe të sigurojë një të ardhme të sigurt dhe të qëndrueshme për të gjitha vendet pjesëmarrëse”, ka theksuar Osmani në takim.
Osmani i ka theksuar Kerrit se në periudhën e ardhshme OSBE-ja do të përfshihet në realizimin e projekteve dhe iniciativave të vlefshme në këtë fushë tematike.
“Duke qenë se ndikimet negative të shkaktuara nga ndryshimet klimatike rrallë kufizohen brenda kufijve kombëtarë, ne duhet të vazhdojmë përpjekjet tona për të identifikuar dhe tejkaluar kërcënimet e përbashkëta përmes bashkëpunimit të zgjeruar rajonal dhe duke zhvilluar masa të përbashkëta për reduktimin e rrezikut në terren”, ka thënë Osmani.
Osmani gjithashtu e njoftoi Kerrin me aktivitetet e vazhdueshme të projektit të mbështetur nga OSBE-ja për mbrojtjen e Malit Shar dhe Masivit të Korabit, si dhe shprehu mirënjohjen e tij për ndihmën amerikane për realizimin e projektit.