Osmani: Korrektësia e zgjedhjeve presidenciale e rëndësishme për integrimin

Duhet të kemi zgjedhje perfekte, pa asnjë devijim të mundshëm për të pasqyruar kapacitetet tona, para vendeve evropiane se ne tashmë jemi vend evropian dhe jemi të gatshëm të futemi në familjen e madhe evropiane. Kështu deklaroi zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, i cili ishte për vizitë në hapësirat e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, me qëllim të vlerësimit të implementimit të planit 18.

Marketing

Osmani pas takimit me anëtarët e KSHZ-së tha se Qeveria është e gatshme që t’i sigurojë të gjitha kushtet e nevojshme për komisionin që ata të bëjnë punën e tyre në mënyrë profesionale, autonome dhe pa asnjë pengesë. Ai foli për rëndësinë e zgjedhjeve presidenciale në periudhën kur po përcaktohet siç tha ai, fati evropian i vendit.

Osmani nënvizoi se në këtë periudhë edhe monitorimi edhe vlerësimi është dukshëm më i madh se në cilat do zgjedhje deri më tani.

Çdo gabim në këto zgjedhje presidenciale duhet të shumëzohet me 10 dhe 100 me ndonjë gabim në ndonjë cikël zgjedhor, pasiqë tani mikroskopët janë aktivizuar nga vendet anëtare dhe nga misioni, për të parë edhe gabimet më të vogla dhe devijimet më të vogla në këtë proces. Nuk kemi shans të dytë për të përmirësuar një dëmtim të procesit në këtë periudhë. Prandaj janë edhe këto vizita për t’i bërë përgatitjet e nevojshme, deklaroi Bujar Osmani, Zv/kryeministër për çështje evropiane.

Ndërkaq kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkovski bëri apel deri tek të gjithë aktorët që të kenë kujdes, që ky proces zgjedhor të kalojë pa pengesa, me qëllim që të mos lejohet çfarëdolloj njolle e errët, pasi siç tha ai, bëhet fjalë për garë politike, ku duhet të fitojë ai që ofron program më të mirë.

“Biseduam për momentet që vijojnë. Organizim dhe zbatim të vërtetë për zgjedhjet presidenciale, me qëllim që procesi të zhvillohet pa pengesa, unë shpresoj që nga ajo që kemi thënë në brifing mes vete, ne përfaqësuesit e komisionit dhe ata të Qeverisë, në fund të ditës, pas përfundimit të zgjedhjeve do të mund të themi se kemi zbatuar zgjedhje të mira dhe të pastra presidenciale. Megjithatë përsëri dua të bëj apel se KSHZ është organ shtetëror që do të bëjë gjithçka që është në korniza të kompetencave ligjore që ky proces zgjedhor do të organizohet në mënyrën më të mirë të mundshme., deklaroi Oliver Derkovski, Kryetar i KSHZ-së.

Takimi i sotëm me anëtarët e KSHZ-së është pjesë e takimeve institucionale në kuadër të cilave më parë u realizuan vizita të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Qendra Koordinuese Nacionale për parandalimin e krimit të organizuar dhe serioz, si dhe takim me anëtarët e Komisionit për Mbikëqyrje mbi zbatimin e masave për ndjekje të komunikimeve, dhe të njëjtat kanë për qëllim të bëhet inspektim në mënyrën në të cilën janë zbatuar reformat, të vërtetohen sfidat me të cilat ballafaqohen institucionet gjatë implementimit të reformave, si dhe të potencohet rëndësia në sigurimin e të ashtuquajturës “trak – rekord”, respektivisht rezultate të dukshme dhe të prekshme nga vetë reformat.

Marketing