Osmani-Kuleba: Do të jemi cak i Rusisë po humbi Ukraina

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, mbrëmë në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork, në margjinat e mbledhjes së 56-të plenare të seancës së 78-të të Asamblesë së Përgjithshme, u takua me Ministrin e Punëve të Jashtme të Ukrainës, Dmitri Kuleba.

Marketing

Nga Ministria e Punëve të Jashtme informojnë se takimi është mbajtur me qëllim të mbështetjes së Ukrainës në ditën e dyvjetorit të fillimit të agresionit rus në Ukrainë, ku Osmani theksoi se është shumë e rëndësishme të vazhdojmë ta mbështesim Ukrainën, sepse sipas tij, nëse Rusia fiton në Ukrainë, atëherë ne jemi të radhës.

Osmani theksoi se sot Federata Ruse është kërcënimi më i madh për sigurinë e Europës, Ballkanit Perëndimor dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Po humbi Ukraina, ne do të jemi caku i radhës i Federatës Ruse. Është e rëndësishme të kemi largpamësi strategjike në vendin tonë, në mënyrë që përfundimisht t’i themi “Jo” Rusisë dhe “Po” për proceset integruese europiane në Ballkanin Perëndimor dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut”, tha Osmani.

Ndërkaq, ministri Kuleba, duke theksuar faktin se Maqedonia e Veriut qëndroi fort pas Ukrainës gjatë dy viteve të agresionit, shprehu mirënjohje për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, si dhe për Osmanin për lidershipin dhe mbështetjen e tij.

“E ardhmja jonë është e përbashkët, ajo e ardhme është Bashkimi Europian, e ardhme për paqe dhe prosperitet”, tha Kuleba.

Të dy ministrat patën fjalimet e tyre para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku dërguan mesazhe të qarta kundër agresionit rus kundër Ukrainës.