Osmani-Narbaeva: OSBE-ja punon për forcimin e rolit të grave dhe rritjen e sigurisë së tyre

Kryesuesi i OSBE-së dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, vizitën e tij në Azinë Qendrore e filloi me takimin me Kryetaren e Senatit të Uzbekistanit, Tanzila Narbaeva.

Marketing

Në fokus të takimit Osmani-Narbaeva ishte roli i Senatit në përpjekjet për forcimin e rolit të grave dhe rritjen e sigurisë së tyre, që është edhe një nga prioritetet kryesore të kryesimit të Maqedonisë së Veriut me OSBE-në në vitin 2023.

“Në këtë drejtim, Zyra e Koordinatorit të Projektit të OSBE-së në Uzbekistan, së bashku me Sekretariatin, bashkëpunon me të gjitha institucionet qeveritare për zbatimin e Strategjisë Nacionale për arritjen e barazisë gjinore deri në vitin 2030. Është për t’u përshëndetur edhe miratimi i Planit Nacional të Veprimit për Gra, Paqe dhe Siguri”, tha Osmani në takimin me Narbaevën.

Përveç legjislacionit që ka të bëjë me përmirësimin e pozitës së grave në shoqëri, Senati i Uzbekistanit bashkëpunon ngushtë me OSBE-në për t’i zbatuar reformat në fusha të tjera, për forcimin e mbikëqyrjes parlamentare mbi sektorin e sigurisë dhe për ndërtimin e kapaciteteve të përfaqësuesve të Parlamentit në Uzbekistan.

“OSBE-ja është e gatshme të ofrojë mbështetje në drejtim të zbatimit të rekomandimeve të ODIHR-it, si dhe në fusha të tjera. Qëllimi përfundimtar i mbështetjes që OSBE-ja u jep autoriteteve shtetërore të Uzbekistanit është krijimi i politikave në favor të qytetarëve dhe në drejtim të forcimit të proceseve demokratike”, tha Osmani në takim.

Në kuadër të vizitës në Uzbekistan, Osmani do të takohet edhe me Presidentin e Uzbekistanit, Shavkat Mirziyoyev, si dhe do të mbajë konferencë të përbashkët për media me Ministrin e Punëve të Jashtme, Bakhtiyor Saidov.

Krahas takimeve me kreun e shtetit, në agjendën e Kryesuesit janë edhe takimet me përfaqësues të shoqërisë civile, ndërsa do ta vizitojë edhe Zyrën e Koordinatorit të Projektit të OSBE-së në Uzbekistan.