Osmani: NATO, faktor i pazëvendësueshëm për sigurinë tonë!

Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani mori pjesë në video-konferencën e takimit të Ministrave të Punëve të Jashtme të Këshillit të Atlantikut të Veriut të NATO-s.

Marketing

“NATO-ja është faktor i pazëvendësueshëm për sigurinë tonë, gjë për të cilën është veçanërisht i rëndësishëm adaptimi i Aleancës ndaj kërcënimeve të reja në mënyrën që do ta forconte kohezionin politik, ndërsa demonstrimi i unitetit dhe solidaritet është e një rëndësie vitale për t’u ballafaquar me sfidat që rezultojnë nga ndryshimet globale të sigurisë” theksoi Osmani.

Në paraqitjen e tij, ministri Osmani iu kthye edhe nevojës për përforcim të bashkëpunimit të NATO-s dhe BE-së në drejtim të ndërtimit të një rajoni të Ballkanit Perëndimor rezistent ndaj kërcënimeve të sigurisë dhe ndikimeve të jashtme, gjë që është veçanërisht e rëndësishme në kontekst të garantimit të karakterit të pakthyeshëm të proceseve evropiane dhe euro-atlantike. “Perspektiva e qartë evropiane dhe euro-atlantike e vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet të jetë motor shtytës i vazhdueshëm për të ardhmen e rajonit”, potencoi Osmani.

Temë kryesore në takimin ministror ishte agjenda NATO 2030, përkatësisht rrumbullakimi i negociatave në lidhje me zgjidhjet që duhet të miratohen në Samitin vijues për adaptimin e ardhshëm të Aleancës ndaj rrethimit të ri strategjik, me mesazhin se Aleanca është e bashkuar në dritën e sfidave që sot janë në rritje e sipër dhe të rivalitetit gjeopolitik dhe se mbrojtja kolektive mbetet prioritet kryesor.

Përndryshe, takimi ministror i Këshillit të Atlantikut të Veriut të NATO-s u mbajt në prag të Samitit të NATO-s i caktuar për më 14 qershor në Bruksel, e që paraqet pjesëmarrjen tonë të parë në takimin e liderëve të Aleancës në cilësinë e anëtares së plotë.

Marketing