Sipas të dhënave të fundit, në Strugë dhe rrethinë janë konfirmuar 25 raste të të infektuarve nga koronavirusi, si dhe katër raste të vdekjes, tre në Labunishtë edhe një në fshatin Tatesh, deklaroi zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani gjatë vizitës në Strugë në cilësinë e koordinatorit të shtabeve të vetëqeverisjeve lokale dhe Qytetit të Shkupit.
“Ne po e ndjekim nga afër këtë situatë për t’i parë rrethanat lokale në komunikim me shtabin komunal. Ne u kemi dhënë udhëzime komunave që të krijojnë edhe shtabe lokale në bashkësitë lokale, veçanërisht në zonat rurale. Në çdo fshat duhet të ketë një shtab në të cilin do të ketë një punonjës shëndetësor, kryetar i bashkësisë lokale dhe një polic lokal, në mënyrë që të mund ta monitorojmë situatën në nivelin më lokal dhe të jemi në gjendje të vendosim”, tha Osmani, i cili ishte i shoqëruar nga zëvendësministri i Shëndetësisë, drejtori i Institutit të Shëndetit Publik dhe kryetari i Komisionit për Sëmundje Infektive, ndërsa këtë pasdite ata duhet të shkojnë edhe në vizitë në Llabunishtë.
Ai informoi për masat e reja restriktive të miratuara sot nga Qeveria dhe Shtabi i Krizave për kufizimin e lëvizjes, gjegjësisht për orën policore nga ora 16:00 deri në orën 5:00 të nesërmen, ndërsa për fundjavat ndalim i plotë 24-orësh i lëvizjes.
“Qëllimi është të theksohet nevoja për distancim sociale, sepse padyshim që përvoja dhe shkenca tregojnë se kjo është mënyra e vetme për të bërë diçka tani si shoqëri. Qytetarët janë të disiplinuar dhe dua ta shfrytëzoj këtë rast për t’i falënderuar punonjësit shëndetësorë, por edhe të gjithë policët dhe të gjithë ata që tani janë në shërbim të jetesës normale në kushte të restrikcioneve”, tha Osmani.
Kryetari i Komisionit për sëmundje infektive, dr. Zharko Karaxhoski në pyetjen e gazetarëve theksoi se vendimi për masat e reja restriktive është marrë me propozimin e Komisionit për Sëmundje Infektive dhe i referohet të gjithë territorit të vendit, përfshirë fshatin Llabunishtë, për të cilin ai tha se nuk janë planifikuar masa speciale, si në rastin e Dibrës.
“Për momentin nuk është planifikuar një gjë e tillë. Në Dibër gjendja ishte specifike me qëllim që të reagojmë shpejtë dhe ta ulim numrin e të infektuarve. Dhe siç e shihni në Dibër katër ditë nuk ka asgjë të re, gjegjësisht masa u dëshmua e suksesshme”, tha Karaxhoski.
Komisioni për sëmundje infektuese çdo mëngjes në orën 8 është duke e shqyrtuar gjendjen në shtet. Lidhur me rajonin e Strugës, Karaxhoski paralajmëroi se që nesër do ta përforcojnë shërbimin epidemiologjik me edhe një epidemiolog në periudhë prej 14 ditësh.
“Jemi duke e përforcuar edhe shërbimin epidemiologjik për nga numri edhe në Tetovë me edhe një epidemiolog, ndërsa çdo ditë e ndjekim gjendjen aktuale dhe nëse ka nevojë do të reagojmë edhe me dërgimin e personelit tjetër të nevojshëm nëse vetëqeverisja lokale dhe nevojat në spital thonë për atë si – pulmologë, internistë. Në mënyrë plotësuese e kemi edhe një kolegë infektolog i cili do të bëjë shqyrtim në spitalin e Ohrit, do ta shqyrtojë gjendjen nëse disa masa duhet të bëhen për pranimet problematike të disa pacientëve të caktuar dhe do t’i referojë tek Komisioni për sëmundje infektuese dhe do të shohim më pas se çfarë do të ndërmerret në nivel të Ministrisë së Shëndetësisë”, tha Karaxhoski.
Duke i pasur parasysh rastet e vdekjes dhe atë që është duke u rritur numri i rasteve me Kovid-19, ai paralajmëroi se me siguri do të hapet pikë për testim në Strugë për çka ka mundësi, me ç’rast Spitali në Strugë do të duhet të caktojë një mikrobiolog dhe një laborant dhe së bashku me njësinë rajonale të QSHP të merren strisho, të cilat do të transferohen në Ohër, ndërsa më pas në Shkup.
“Gjendja po ndiqet në bazë ditore në territorin e mbarë shtetit. Nëse paraqitet nevoja do të reagojmë edhe në mënyrë tjetër. Tani për tani nga e mërkura vlejnë rregullat të cilat i kumtuan kryeministri, ministri i Shëndetësisë dhe zëvendëskryeministri”, tha Karaxhoski.