Osmani: Në fazën e negociatave me BE-në do t’i kemi të gjitha privilegjet që sjell integrimi

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në intervistë për Telma, i është referuar konceptit që ka promovuar në Bruksel “Më shumë integrim para anëtarësimit”. Me këtë koncept, të cilin e paralajmëroi edhe Kryetarja e Komisionit Europian, Ursula fon der Lajen, vendet e Ballkanit Perëndimor që do të nisin negociatat do të kenë një sërë përfitimesh, qasje në fonde dhe pjesë të madhe të privilegjeve, të cilat i sjell integrimi i plotë, që në kohën e negociatave.

Marketing

“Shtetet kandidate do t’i kishin të gjitha privilegjet para anëtarësimit formal dhe jo para anëtarësimit aktual në BE. Në Bratisllavë në GlobSec, unë promovova konceptin e më shumë integrimit përpara vetë anëtarësimit, përkatësisht mundësinë për t’u bërë pjesë e politikave të BE-së, qasje në fondet e BE-së, fondet strukturore dhe kohezive dhe hyrjen në tregun e vetëm përpara hyrjes formale. Për shkak se anëtarësimi formal kërkon procedura të caktuara, mbyllje të kapitujve. Pra, ne jemi duke promovuar një koncept të tillë në të cilin siç thashë qytetarët, shteti, institucionet do ta ndjejnë BE-në para anëtarësimit”- tha Ministri Osmani.

Ai theksoi se kjo qasje, përveç përfitimeve të shpejta që do të ndjehen nga qytetarët, do të nënkuptojë edhe ngritje të kredibilitetit të Bashkimit Europian dhe mbrojtje nga ndikimet negative të palëve të treta që kanë për qëllim ta minojnë procesin e integrimit në Ballkanin Perëndimor.

“Meqë nuk e dimë saktësisht se kur do të ndodhë anëtarësimi, nuk mund të lëmë hapësirë vakumi sepse frustrimet e qytetarëve do të rriten, dhe BE-ja nuk ofron përfitime konkrete që qytetarët do t’i ndjejnë në xhepat e tyre. Kështu që ai zhgënjim më pas keqpërdoret nga palët e treta, duke krijuar disponim anti-europian, antiperëndimor, që për fat të keq e shohim në Maqedoninë e Veriut. E frojmë këtë model të më shumë integrimit përpara anëtarësimit për të ruajtur besueshmërinë e procesit përderisa ai zgjat, në mënyrë që qytetarët të mund ta ndjejnë BE-në përderisa negociojmë me BE-në. Fakti që Kryetarja Fon der Lajen tha pikërisht këtë, besoj se është një përgjigje ndaj lobimit tonë, i cili filloi në Shkup, natyrisht në konsultim me vendet e rajonit, tashmë po jep rezultate”, përfundoi Ministri Osmani.