Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, realizoi takim me Nënkryetarin e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Shkup.
Siç thonë nga MPJ, Osmani e falënderoi Borrellin për vizitën në kohën e duhur, si shenjë konkrete e partneritetit të fuqishëm; koordinimit në përballje me pasojat e agresionit rus ndaj Ukrainës; dhe manifestimit të mbështetjes së anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe gjithë rajonit në BE.
Bashkëbiseduesit u dakorduan se konflikti ushtarak në Ukrainë paraqet shkelje të rëndë të parimeve themelore të së Drejtës Ndërkombëtare, rendit demokratik dhe arkitekturës së sigurisë së Evropës dhe rrjedhimisht paraqet kërcënim real për paqen, sigurinë dhe stabilitetin botëror, me implikime të mundshme në vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Besoj se këto janë momente historike që kërkojnë vendime kyçe dhe në kohë, por edhe unitet në veprimin e Bashkimit Evropian dhe vendeve të tija anëtare. Procesi ynë i ngecur i integrimit në BE është burim i një ndjeshmërie sistematike, të cilin aktorët e jashtëm e përdorin lehtësisht në aktivitetet e tyre. Prandaj, nuk ka vend për mëdyshje ndaj atyre vendeve që me gatishmëri i përmbahen vlerave, parimeve dhe standardeve të përbashkëta evropiane. Situata e këtillë është imperativ që vendet anëtare të BE-së të bëjnë përpjekje të përbashkëta, të krijojnë konsensus dhe të sjellin vendim për fillim të negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Anëtarësimi i rajonit në BE është një vlerë e shtuar thelbësore sigurie, politike dhe ekonomike për Unionin”, theksoi Osmani.
Osmani dhe Borrell konkluduan se vetëm në këtë mënyrë Bashkimi Evropian do ta forcojë rolin e tij strategjik në politikën e jashtme dhe të sigurisë dhe do ta marrë udhëheqësinë strategjike, teksa vazhdimi i politikës së zgjerimit është i rëndësishëm për sigurinë dhe unitetin e gjithë kontinentit dhe fuqinë e Aleancës Euro-Atlantike.
Nga ana e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell u përshëndet harmonizimi i plotë i Maqedonisë së Veriut me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së dhe angazhimi ynë i palëkundur euro-atlantik.