Osmani në takimin me “treshen” e OSBE-së me partnerët aziatikë: Duhet bashkëpunim ndaj kërcënimeve

Rëndësia e partneritetit dhe bashkëpunimit mes Evropës dhe Azisë në këto kohë dhe sfida kritike, pas pushtimit rus në Ukrainë, ishin riafirmuar në takimin e ministrave të Punëve të Jashtme të “Treshes” kryesuese të OSBE-së – Maqedonisë së Veriut, Polonisë dhe Suedisë, Bujar Osmani, Zbigniev Rau dhe Tobias Billstrom dhe sekretarja e përgjithshme e OSBE-së, Helga Maria Shhmid me Grupin e Partnerëve Aziatikë për Bashkëpunim të OSBE-së.

Marketing

“Dëshiroj t’i përshëndes përpjekjet e Suedisë, si kryesuese e Grupit të Partnerëve të Bashkëpunimit Aziatik të OSBE-së, në këtë vit veçanërisht të vështirë, për të hartuar një program që synon një dialog të forcuar dhe të hapur, bazuar në marrëdhëniet ekzistuese dhe sinergjitë ndërmjet dy kontinenteve, në kuadër të Organizatës sonë”, tha Osmani në margjinat e Takimit të 29-të Ministror të OSBE-së

Siç informoi MPJ-ja, Osmani njoftoi se gjatë kryesimit të OSBE-së nga Maqedonia e Veriut do të mbajë koordinime të rregullta mujore me partnerët aziatikë, me qëllim të diskutimit dhe shkëmbimit të mendimeve për mundësitë e përmirësimit të bashkëpunimit dhe përballjes me kërcënimet dhe sfidat e përbashkëta të sigurisë.

Osmani gjithashtu theksoi se Maqedonia e Veriut do ta koordinojë punën e OSBE-së, duke i marrë parasysh edhe rekomandimet e partnerëve.