Ideja evropiane paraqet frymëzim për zgjidhjen e çështjeve të hapura në rajon. Maqedonia e Veriut është shembull i ndritshëm. Nuk ka Evropë të fortë pa Ballkan të fortë, një Ballkan i suksesshëm është Ballkani i integruar në BE. Stabilizimi i BE-së mund dhe duhet të bëhet së bashku me stabilizimin Evropian në Ballkan, thotë ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani në një intervistë për gazetën greke “To Vima”, raporton korrespodenti i MIA-s nga Athina.
Duke folur për perspektivën evropiane të rajonit, Osmani theksoi se është “investim gjeostrategjik për një Evropë të qëndrueshme, të fortë dhe të bashkuar, bazuar në vlera dhe standarde të përbashkëta”, por edhe se integrimi në BE është “investimi më i lehtë dhe më i lirë për sigurinë dhe stabilitetin” në Union.
Ministri i Punëve të Jashtme theksoi se, megjithatë, bisedimet e aderimit me BE-në nuk duhet të shndërrohen në negociata me Bullgarinë, duke shtuar se bisedimet me Sofjen vazhdojnë për kapërcimin e dallimeve.
“Ndërtojmë miqësi, ky është tipari ynë autentik. Por kurrë nuk kemi synuar për gjëra që nuk janë tonat. Ne jemi një shembull i ndritshëm për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë. Nuk kemi krijuar probleme dhe nuk kemi qenë kurrë problem. Ne marrim vendime. Ky është mentaliteti i fitores. Bisedimet me Bullgarinë janë të vazhdueshme dhe ne do të vazhdojmë të gjejmë një mënyrë për të kapërcyer dallimet, por bisedimet aderuese nuk duhet të shndërrohen në negociata me Bullgarinë”, shpjegoi Osmani në një intervistë për edicionin e sotëm të “To Vima”, transmeton MIA.
Për takimet në Athinë me kreun shtetëror grek, ai tha se vitin e ri e filloi me një vizitë të suksesshme në Greqi, “e cila paraqet dëshmi për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e shkëlqyeshëm”, dhe ka qëllime të sinqerta për të hedhur themelet “për ndërtimin e një miqësie më të thellë dhe afatgjatë midis dy vendeve”.
“Si një fqinj i drejtpërdrejtë dhe anëtar i BE-së, unë besoj se mbështetja parimore të Greqisë për fillimin e negociatave tona të aderimit pa vonesë është jashtëzakonisht e rëndësishme. Unë gjithmonë kam thënë se ekonomia dhe biznesi duhet t’i udhëheqin marrëdhëniet tona, por detyrimi ynë është që përmes bashkëpunimit politik të krijojmë kushte për promovimin e mëtejshëm të tregtisë, turizmit dhe investimeve si përfitimi më i rëndësishëm dhe i prekshëm për qytetarët tanë”, tha shefi i diplomacisë dhe shtoi se bashkëpunimi ekonomik , sektori i energjisë dhe ndërlidhja janë fushat kryesore të bashkëpunimit të zgjeruar midis dy vendeve bazuar në Planin e veprimit.
Më konkretisht, shpjegoi mundësitë për bashkëpunim energjetik, duke përmendur mundësinë që Maqedonia e Veriut përmes tubacionit të gazit me Greqinë të sigurojë qasje në gazsjellësin TAP, por edhe gazit natyror të lëngshëm LNG përmes Aleksandropolit, për të cilin ai thotë se mund të “stimulojë hyrjen e ndërmarrjeve tregtare të gazit natyror” në tregun e Maqedonisë së Veriut”, diçka që do ta “përforcojë konkurrencën dhe çmimet përmes tregut të lirë, që do të sigurojë qëndrueshmërinë e sektorit të gazit natyror “.
Lidhur me Marrëveshjen e Prespës dhe zbatimin e saj në vendin tonë, ai thotë se shumica e detyrimeve tashmë janë përmbushur, ndërsa për vërejtjet e palës greke se nuk është zbatuar plotësisht, Osmani thotë se ka shembuj, por kanë të bëjnë për shkaqe objektive ose vonesës burokratike”.
“Marrëveshja e Prespës është një shembull dhe model për një mënyrë të zgjidhjes së çështjeve të hapura midis dy vendeve fqinje, kryesisht përmes ndërtimit të besimit dhe miqësisë, e cila më vonë u kthye në një aleancë dhe partneritet. Sapo marrëveshja hyri në fuqi, Republika e Maqedonisë së Veriut filloi të zbatojë dispozitat dhe mund të them se shumica e detyrimeve tona janë përmbushur. Sigurisht, ka shembuj që vijnë nga arsye objektive ose nga ajo që unë do ta quaja një vonesë burokratike”, shpjegoi ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut në intervistën për “To Vima”.