Osmani para veteranëve të UÇK-së: Falë jush arritëm Kryeministrinë dhe synojmë Presidentin!

Sot qëndroj para jush me respekt dhe mirënjohje të pafund për gjithë ju. Secili prej jush keni luajtur rol kyç në formësimin e historisë së kombit tonë. Sakrifica e juaj ka trasuar rrugën për një jetë më të ndritshme të çdo shqiptari. Guximi dhe vendosmëria e juaj atëherë, kur ka qenë më se e nevojshme, nuk ka qenë vetëm për disa të drejta më shumë, por ka vendosur themelet e barazisë dhe drejtësisë.

Marketing

Kështu iu është drejtuar veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, ministri aktual i jashtëm dhe kandidati shqiptar për president nga radhët e BDI-së, Bujar Osmani, në iftarin e mbrëmshëm në Shkup.

“Ky guxim, kjo përpjekje e juaja, ka transformuar statusin juridiko-politik të shqiptarëve, duke mundësuar që zëri i jonë të dëgjohet, dinjiteti i kombit tonë të institucionalizohet dhe duke qenë para jush dua të them se jam shumë i vetëdijshëm, bile se dhe rrugëtimi im personal nga një fëmijë i Serovës (Seravës) së Çairit deri tek kryesues i gjysmës së botës, do të ishte e paimagjinueshëm pa rrugën të cilën ju e keni trasuar. Për shkak se, ju dëshmuat që nëse jeni bashkë dhe nëse jemi të qëndrueshëm, ne mund të transformojmë fatin e një populli. Dhe, ajo që bëtë ju ishte, që nga një popull i përjashtuar dhe i margjinalizuar për 20 vite, që në kontekst historik janë shumë pak, të arrijmë deri tek kryeministri i parë shqiptar, e së shpejti me ndihmën tuaj dhe me mbështetjen tuaj, edhe te presidenti i parë Shqiptar. Andaj, jemi shumë mirënjohës dhe falënderues për atë që ju keni bërë. Sakrifica e juaj dhe trashëgimia e përpjekjeve tuaja nuk është vetëm një kapitull në historinë e kombit tonë, por është një dritë udhëzimi për të ardhmen”, theksoi Osmani.

Ministri Osmani u zotua se do të mbrojë me jetë vlerat për të cilat ata kanë luftuar dhe se do të punojë pa pushim për një ardhme më të mirë të kombit tonë.