Osmani-Rau: Për Poloni nuk ka dilemë se Maqedonia e Veriut meriton të fillojë negociatat me BE-në

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, gjatë vizitës së tij të punës të Republikën e Polonisë u takua me nikoqirin e tij, Ministrin e Punëve të Jashtme, Zbignjev Rau. Vizita ndodh në prag të samitit të qershorit, në kontekst të angazhimit të përforcuar për fillim zyrtar të negociatave për aderim me BE-në, si qëllim strategjik i vendit dhe imperativ për gjithë rajonin.

Marketing

Gjatë bisedës, në plan të parë ishin temat aktuale lidhur me proceset eurointegruese të Maqedonisë së Veriut dhe me këtë Osmani e shprehu mirënjohjen e qytetarëve tanë për mbështetjen dhe ndihmën që Polonia na jep në procesin e zgjerimit të BE-së. U theksua se mbetemi të përkushtuar në implementimin e vazhduar të agjendës reformuese, si dhe të aktiviteteve për avancimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, me fokus të veçantë ndaj Bullgarisë, përmes zbatimit të planit aksionar për intensifikimin e bashkëpunimit sektorial dhe largimin e dallimeve ekzistuese.

“Vazhdojmë të punojmë edhe me një tempo më të përforcuar të agjendës reformuese, duke vënë theks të veçantë në realizimin e planit aksionar për bashkëpunim multi-sektorial dhe tejkalimin e dallimeve ekzistuese me miqtë tanë nga Bullgaria. Në këtë kontekst shpreh falënderim për mbështetjen tradicionale shumëvjeçare të Republikës së Polonisë si dhe për gjithë grupin V4, që në kontinuitet i jep përkrahje të pakushtëzuar rrugës sonë eurointegruese. Më duhet të theksoj se integrimi evropian ka ndikim pozitiv në procesin e transformimit të shoqërisë sonë, dhe për më tepër paraqet edhe investim të përhershëm në paqe dhe stabilitet të Ballkanit Perëndimor, e me këtë edhe në të gjithë Europën dhe është në interes për të gjitha vendet anëtare”, theksoi Osmani.

Ministri Rau e riafirmoi mbështetjen e fuqishme të vendit të tij për të filluar pa vonesa negociatat e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut me BE-në dhe deklaroi se ekziston konsensus i qartë rreth kësaj çështjeje edhe në nivel të grupit të Vishegradit, me të cilin Polonia kryeson deri më 30 qershor të këtij viti.

Theks i veçantë u vë në bisedimet për bashkëpunim në kuadër të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) me të cilin Polonia kryeson gjatë vitit 2022. Ky bashkëpunim, qëllimi i të cilit është promovimi i vlerave mbi të cilat bazohet Organizata- demokracia, paqja dhe stabiliteti përmes ndërtimit të besimit, dialogut dhe transparences, merr rëndësi në kontekstin e presidencës së Maqedonisë së Veriut me OSBE-në në vitin 2023.

Gjatë qëndrimit në Varshavë, shefi i diplomacisë, Osmani realizoi takime të ndara edhe me kryetarin e komisionit për çështje të jashtme dhe të BE-së në Senatin e Polonisë, z. Bogdan Klih me të cilin diskutoi kryesisht për agjendën e ardhshme europjane të Maqedonisë së Veriut.

Marketing