Në emisionin “200” ne Alsat-M, zëvendëskryeministri Bujar Osmani ka folur edhe për koalicionimin LSDM-BESA, ndërsa ka thënë se, megjithëse beson në qëndrimet qytetare të zyrtarëve apo grupeve në LSDM, megjithatë nuk duhet që të drejtat kolektive t’i lihet vetëm një partie politike që është pjesë e pushtetit.
“Nuk mundet që të drejtat e një kolektivi ti lëmë në vullnetin e një partie politike, cila është për momentin në pushtet. Kush garanton që nesër nuk ndryshon situata brenda një dite. Për shembull, kemi rastin e shkollës së Idrizovës. Të gjithë qytetarët maqedonas u çuan në këmbë dhe kundërshtuan mësimin në gjuhën shqipe të nxënësve shqiptarë! Nuk mundet vetëm vullneti i mirë të mbrojë komunitetin, por duhet mekanizma ligjor, siç ishte Badenteri dhe decentralizimi që solli Marrëveshja e Ohrit që të qetësojnë raportet ndëretnike në vend. Qëllimi është i mirë, por shqiptarët çështjet tona nuk i shohin vetëm si çështje të
interpretimeve ligjore, por i shohin edhe si jetë dhe ndjenjë tona për mundësi të barabarta”, ka thënë Osmani, ndërsa ka shtuar se shqiptarët duan të ndjejnë se ka mekanizma ligjor që i mbron të drejtat e tyre.
“Prandaj duam të ketë mekanizma që, pavarësisht kush është sot dhe kush do të jetë nesër, a do kërkohen 61 mandate që të mos na kushtëzojnë shqiptarët apo të mos na kushtëzojë BDI, ne të ndjejmë se na mbrojnë mekanizmat ligjor. Prandaj them se koncepti i i konsensusit është ai që i duhet vendit. E treguam se parimi konsensual ishte zgjedhja e presidentit kur u ulën dy kryetarët e partive më të mëdha etnike. Shkrirja e BESËS në këtë ‘sojuz’ nuk përfaqëson vullnetin e shqiptarëve, por përfaqëson vullnetin e dy liderëve për të bërë një kalkulacion matematikor për të fituar zgjedhjet ose për të dalë në zgjedhje. Kjo nuk ka të bëjë me qytetarët”, theksoi Osmani, ndërsa sqaroi bashkëpunimin me LSDM-në në zgjedhjet lokale të vitit 2017, si dhe mbështetjen që BDI i dha kandidatit për presidentit Stevo Pendarovski.
“Bashkëpunimet për kryetarë komunash dhe për presidentin janë normale, por për këshilltarë komunal dhe mandate deputetësh, është çështje tjetër. Për zgjedhje parlamentare, qytetarët duhet thënë qëndrimet e tyre dhe pastaj pasojnë koalicionet. BESA sidoqoftë nuk është parti me peshë politike në këtë temë, por trajtimi dhe deklarimet se ‘ne kemi shqiptarët tona’, na kujton një sistem tjetër kur qeveritë e asaj kishin shqiptarët e vet. Qytetarët tanë janë të vetëdijshëm se kush për ta punon më mirë, kush e përcakton të ardhmen e vendit. Prandaj ne nuk jemi marrë me lojëra politike dhe lojëra koalicionesh… Ne jemi marrë me çështje që kanë vendosur themelin e shtetit dhe themelin e të ardhmes”, tha Osmani.