Gjatë viteve të kaluara kam pasur nderin të shërbej për vendin tonë dhe për Ju në disa nga momentet më të rëndësishme në historinë e tij. Anëtarësimi në NATO, fillimi i negociatave për anëtarësim në BE pas një pritjeje të gjatë, shpallja e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, ndërtimi i një partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryesimi i OSBE-së, statusi i ri i vendit tonë i cili gjatë asaj periudhe hyri përtej peshës së vet në arenën ndërkombëtare e shumë të tjera.
Pas përfundimit të mandatit tim, u riktheva në profesionin tim të kirurgut, aty ku vazhdoj shërbimin ndaj njerëzve në formë tjetër. Ky profesion kërkon kohë dhe përkushtim të madh ndaj secilit që i shërbej.
Dhe andaj ndoshta disa prej jush kanë fituar përshtypjen se jam distancuar nga angazhimi im politik, por ju siguroj se zemra ime vazhdon të rrahë për çdo arritje që kemi ndërtuar së bashku e që sot po rrezikohet.
Sot, kur shoh që këto arritje janë duke u sfiduar dhe duket sikur po shkrihen përpara syve tanë, dhimbja është e madhe.
Por, këtij nënçmimi që po i bëhet vendit dhe kombit ngadal po i vjen fundi.
Qytetarët janë duke dhënë mesazhin e qartë: kurrë më nuk do të marrin përgjegjësi ata që nuk e kanë vullnetin e tyre. Qofshim ne, apo kushdo tjetër nesër. E ardhmja e këtij vendi do të bazohet vetëm mbi vullnetin e juaj, të qytetarëve.
Me respekt dhe përkushtim.
Bujar Osmani