Dita e rrjetit të zonës NATURA 2000 në Evropë është festuar sot, në Info-Qendrën turistike të Ponikvës, Bjeshkët e Osogovës, në prani të përfaqësuesve të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH), kryetarit të Komunës së Koçanit, përfaqësuesve nga Farmahem, Shoqëria Mjedisore e Maqedonisë (MED), përfaqësues të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, si dhe faktorë lokalë.
Manifestimin e hapi udhëheqësja e ekipit të Programit për Ruajtjen e Natyrës, Marjana Shushlevska.
Sekretarja shtetërore në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe kryetarja e Komitetit Drejtues të Programit për Ruajtjen e Natyrës, Kaja Shukova, foli për rëndësinë e rrjetit Natura 2000 për mbrojtjen dhe ruajtjen e natyrës në nivel kombëtar dhe evropian.
Sot, kur festojmë 21 majin, ditën e Direktivës Evropiane për Habitatet, kam kënaqësinë të theksoj se në Rajonin Planor Lindor, pjesë të Maleshevës së bashku me Dolna Bregalnicën dhe Ovçe Polen tashmë janë identifikuar si zona potenciale të Natura 2000. MMJPH në bashkëpunim me Farmahem, MED-in dhe ekspertë kombëtarë përmes Programit për Ruajtjen e Natyrës, kryen një sërë aktivitetesh në lidhje me Natura 2000, duke përfshirë zhvillimin dhe plotësimin e Formularëve Standarde për Natura 2000 për Maleshevën, Dolna Bregalnicën dhe Ovçe Polën, komunikimin me palët e prekura për Natura 2000, hartimin e materialit promovues, fushatë me aktorët vendorë, si dhe identifikimi i habitateve, bimëve, kafshëve dhe shpendëve me rëndësi të BE-së – tha Shukova.
Ajo vuri në dukje se aktivitetet e Ministrisë vazhdojnë edhe këtë vit, me monitorimin e llojeve të kafshëve dhe bimëve dhe habitateve të tyre dhe zhvillimin e Planeve të Menaxhimit për zonat e identifikuara të Natura 2000, duke shtuar se koncepti Natura 2000 në zonat rurale hap mundësi të reja përmes zhvillimit të eko—turizmit, bujqësisë së qëndrueshme dhe përdorimit të burimeve natyrore në mënyrë që të mos rrezikojë natyrën.
“Për ne është nder dhe kënaqësi që këtë vit festimi i Ditës Natura 2000 po ndodh në Bjeshkët e Osogovës, zonë që jo rastësisht quhet zonë e mbrojtur. Ky eveniment do të kontribuojë në promovimin e pasurive natyrore të maleve të Osogovës, në zbatimin e praktikave të qëndrueshme në bujqësi dhe pylltari, si dhe në përmirësimin e mundësive dhe zhvillimin e ekoturizmit”, – tha kryetari i Komunës së Koçanit, Lupço Papazov.
Duke vënë në dukje se edhe pse deri më tani në Republikën e Maqedonisë së Veriut janë identifikuar 12 lokacione potenciale NATURA 2000, të cilat mbulojnë rreth 4,5% të territorit të vendit, për shkak të biodiversitetit të pasur në vendin tonë, numri dhe sipërfaqja e tyre do të jetë shumë më e madhe, drejtoresha ekzekutive e SHMM-së, Robertina Brianoska thekson: “Nëse bëhet një krahasim me Rrjetin Kombëtar Emerald (me 35 zona që zënë rreth 29%), që është një lloj pararendës për vendet që përgatiten për anëtarësim në BE, numri dhe sipërfaqja e zonave të ardhshme Natura 2000 do të jetë larg më i madh.”
Në këtë ngjarje foli ndihmësdrejtoresha e NP “Pyjet Kombëtare”, Mare Basova – organ menaxhues i zonës së mbrojtur “Bjeshkët e Osogovës”, ecila vuri në dukje se sipas të dhënave të disponueshme, në Bjeshkët e Osogovës hasen reth 185 lloje të rëndësishme ndërkombëtare, sipas listës së kuqe botërore të specieve të rrezikuara, ose sipas direktivave të Bashkimit Evropian për Zogjtë dhe Habitatet, Konventës së Bernit dhe Bonit, kurse 10 lloje janë “endemike të osogovës”, dmth. specie që jetojnë vetëm në malet e Osogovës. Disa nga këto specie të rëndësishme mund të përdoren për identifikimin dhe themelimin e zonave të Natura 2000, e cila është e një rëndësie të madhe për NP “Pyjet Kombëtare” si menaxhere e ZM Bjeshkët e Osogovës, dhe nga ana tjetër do të jetë e rëndësishme për plotësimin e disa kushteve për integrimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.
Në kuadër të manifestimit u promovua një VIDEO, u hap një ekspozitë me fotografi me temën e Bjeshkëve të Osogovës dhe u organizua një vizitë në lokalitetin “Panagjur“.