Pa roaming në gjashtë vende të Ballkanit, AKE sqaron kushtet e shfrytëzimit

Hiqet roamingu mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.Por, falas do të mund të flasin vetëm ata që në vend shfrytëzojnë minuta të pakufizuara në rrjetin kombëtar. Çmimet për biseda përmes celularit nga Shqipëria, Mali i Zi, Serbia, Kosova si dhe Bosnja dhe Hercegovina do të jenë të njëjta si në shtëpi. Marrëveshjet të cilat qytetarët i kanë me operatorët për shërbime në vend, do të vlejnë edhe kur ata do të ndodhen në ndonjërën prej gjashtë shteteve.

Marketing

“Nëse abonuesi në pri-pejd paguan një shumë të caktuar prej 4-5 denarësh për thirrje në vend, atëherë edhe në qoftë se shkon në Serbi do të paguajë njëjtë. Nëse ka të kyçur marrëveshje post-pejd për minuta të pakufizuara, atëherë atë do të mund ta shfrytëzojë edhe jashtë pa pasur nevojë që të paguan diçka shtesë.”,- tha Marijan Pejovski nga AKE.

Shfrytëzimi i internetit do të jetë i kufizuar. Kjo do të varet nga pakoja të cilën shfrytëzuesi e shfrytëzon në vend. Nëse pakoja të cilën e shfrytëzon në Maqedoni të Veriut ka 10 giga dhe nëse ato nuk i ka shfrytëzuar në shtëpi, do të mundet që falas të shfrytëzojë dy deri më dy e gjysmë gigabajt internet.

“Në qoftë se internetin në vend e ka 10 giga, jashtë do të ketë diku 2 deri 2 giga e gjysmë, në kushte kur internetin nuk e ka harxhuar në shtëpi. Në qoftë se e ka harxhuar, atëherë do t’i paguhet shtesë. Por, në qoftë se pakon të cilën e ka në shtëpi nuk e ka harxhuar dhe ka ende internet apo minuta në telefon, atëherë edhe jashtë do t’i shfrytëzojë.”,- u shpreh Pejovski.

Për momentin nuk ka ulje të çmimeve për raoming me Greqinë dhe Bullgarinë, edhe pse shteti ka nënshkruar marrëveshje për ulje të çmimeve për shërbime, ato ende nuk kanë hyrë në fuqi.

Nga AKE paralajmërojnë se nëse thirret numër i huaj apo lëshohen SMS porosi nga vendi, do të paguhet si thirrje ndërkombëtare. Mundësia “fol falas si në shtëpi” vlen vetëm kur shfrytëzuesi ndodhet në ndonjërën prej vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Marketing