Pacolli pret që Tomor Morina së shpejti të kthehet në Kosovë

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës Bexhet Pacolli pret që ish pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili më 24 korrik, në bazë të urdhërarrestit të Interpolit ishte arrestuar nga policia e RMV-së në vendkalimin kufitar Blacë, së shpejti të lëshohet nga paraburgimi dhe të kthehet në Kosovë.

Marketing

Pacolli përmes një postimi në faqen e tij në Fejsbuk shprehu kënaqësi për shkak të vendimit të djeshëm të gjykatësit kompetent në Maqedoninë e Veriut që ta refuzojë kërkesën e e Serbisë për ekstradimin e Morinës.

“Jam i lumtur që Tomor Morina fitoi betejën e parë të gjyqësorit në Maqedoninë e Veriut për të kundërshtuar kërkesën serbe për ekstradim. Ne besojmë fuqimisht në punën profesionale të autoriteteve të Maqedonisë së Veriut dhe lidhjen e miqësisë që kanë vendet tona.
Shumë shpejt ai do të kthehet në shtëpi te familja dhe miqtë e tij dhe u bëj thirrje të gjithëve të jenë të durueshëm”, shkroi Pacolli.

Këshilli Penal pranë Gjykatës Themelore Penale – Shkup dje solli vendim se nuk janë përmbushur kushtet për ekstradim të ish pjesëtarit të UÇK-së në Serbi. Njëherit, Morinës i është caktuar paraburgimi deri sa të sillet vendim i prerë, gjegjësisht vendim për këtë lëndë nga ana e Gjykatës Supreme të RMV-së.

Marketing