Paguajmë për gropa! Autostrada Kumanovë-Shkup në gjendje të keqe

Me shumë gropa, e arnuar dhe vende-vende jo e sheshtë. Nëpër këtë autostradë do të duhet të kaloni nëse udhëtoni nga Kumanova për në Shkup. 95% e buxheti të Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve për vitin 2023 është për investime kapitale, e pjesa më e madhe e tyre për infrastrukturë rrugore, por nuk dihet nëse këtu do të përfshihet edhe kjo rrugë që lidh kryeqytetin me komunën e Kumanovës. E njëjta do të vazhdojë të jetë në këtë gjendje deri sa nuk gjendet një zgjidhje ideore, tha ministri Bllagoj Boçvarski.

Marketing

“Kemi disa zgjidhje ideore dhe mendime në lidhje me rehabilitimin e rrugës nga Shkupi për në Kumanovë, ky është trekëndëshi nga Shkupi për në Milladinovc, Milladinovc-Petrovec, Petrovec-Shkup, rreth aeroportit të Shkupit, në pajtueshmëri me mjetet buxhetore dhe mundësinë për të shpallur thirrje të re për kontraktues, do ta kemi parasysh edhe këtë drejtim rrugor dhe një nga një këto tre pjesë do të shpallen për rehabilitim”, tha Bllagoj Boçvarski, ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

Me sa duket kjo pjesë e autostradës nuk është në mesin e prioriteteve, sepse Ministri thekson se fokusi është te Korridori 8.

“A do të ndodh kjo në fillim të vitit të ardhshëm, mendoj se fokusi është vendosur në pjesën perëndimore, në Korridorin 8 dhe duhet të përfundojmë procedurat për këtë shpallje dhe më pas të hapim mundësitë tona në pjesën e kondicionit buxhetor, që të vazhdojmë në pjesën lindore, pra drejt Kumanovës”, pohoi Bllagoj Boçvarski, ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

Kur kalon në autostradën Kumanovë-Shkup, paguan në dy pikë pagesa që në total kushtojnë 100 denarë, mjete që parashihen për mirëmbajtjen e autostradës. Por se sa është e mirëmbajtur, shihet nga pamjet. Përndryshe në vitin që e lamë pas nga pikë pagesat janë grumbulluar rreth 49 milionë euro, që është rreth 300 mijë euro më shumë se vitin paraprak, mirëpo gjendja si në këtë autostradë njëjtë edhe në atë Shkup-Tetovë nuk është aspak e mirë. Sa i përket autostradës Tetovë-Gostivar, e njëjta as nuk i plotëson standardet evropiane për autostradë, gjë që në TV21 e ka pohuar edhe vetë Drejtori i Ndërmarrjes Publike “Rrugët Shtetërore” Ejup Rustemi.