Palestinezët do të shkëpusin lidhjet me SHBA-në dhe Izraelin

Lideri palestinez, Mahmud Abbas ka njoftuar se do të ndërpresë të gjitha lidhjet me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara, për shkak të planit të paqes për Lindjen e Mesme, që u prezantua javën e kaluar nga Uashingtoni.

Marketing

Abbas nga Kajro deklaroi se propozimi i administratës së presidentit amerikan, Donald Trump është “shkelje e marrëveshjeve” të arritura nga Izraeli dhe palestinezët më 1993 në Oslo.

Lideri palestinez tha se “nuk do të ketë raporte, përfshirë edhe ato të sigurisë” me SHBA-në dhe Izraelin.

“Unë kurrë nuk do ta pranoj këtë zgjidhje. Unë nuk do ta vendos në historinë time se kam shitur Jerusalemin”, tha ai.

Sipas propozimit të prezantuar nga SHBA-ja më 28 janar, Izraeli do të aneksonte të gjitha vendbanimet e tij në Bregun Perëndimor – shumica prej të cilave shihen si ilegale nga komuniteti ndërkombëtar – si dhe Luginën e Jordanit.

Palestinezët do të kishin një sovranitet të kufizuar në Gaza dhe në disa pjesë në Bregun perëndimor, si dhe në disa lagje që gjenden në kufijtë e Jerusalemit. Sipas këtij propozimi, Izraeli do të kontrollonte të gjitha kufijtë tokësorë dhe hapësirën ajrore si dhe do të ketë përgjegjësi për sigurinë.

Po ashtu, do të shfuqizohej e drejta e kthimit të palestinezëve të shpërngulur nga lufta e vitit 1948 në territoret e paraardhësve të tyre. Rikthimi në këto territore ka qenë kërkesa kryesore e palestinezëve.

Ministrat e Jashtëm të vendeve arabe u takuan sot në Kajro për të diskutuar propozimin e SHBA-së. Ky takim u zhvillua me kërkesën e palestinezëve.

Marketing