SHBA-ja shpreson se Këshilli Evropian më 16 tetor do të sjellë vendim për fillim të negociatave inkuadruese me Maqedoninë e Veriut, deklaroi i dërguari special amerikan i sapoemëruar për Ballkanin Perëndimor, Methju Palmer në intervistë për Zërin e Amerikës.
“Komisioni Evropian ka propozuar fillim të negociatave për anëtarësim me Shkupin në nëntë-dhjetë vitet e fundit me radhë. Partnerëve tanë evropian qartë ua treguam pozitën tonë. Konsiderojmë se (fillimi i negociatave) do të ishte shumë i dobishëm”, thotë Palmer.
Megjithatë sipas tij, edhe vendi duhet të vazhdojë me zbatimin e agjendës reformuese, duke e përfshirë edhe sjelljen e ligjit të ri për prokurorinë publike.
“Për këtë çështje në Shkup udhëhiqen negociata konsultuese. Ne do të dëshironim të bashkëpunojmë me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut në përkrahje të agjendës reformuese. Do të dëshiroja t’i ndihmojmë vendit të përparojë”, shton Palmer.
Ai thekson se SHBA-ja shpreson që vendi shumë shpejtë do të bëhet anëtarja e 3,-të e NATO-s.
“Koha ideale për atë do të ishte fillimi i dhjetorit”, potencon i dërguari special amerikan për Ballkanin Perëndimor.
Palmer në intervistë flet edhe për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, me ç’rast thekson se Prishtina duhet t’i heqë tarifat importuese për prodhimet serbe, në çka Beogradi duhet të përgjigjet me “pezullim të fushatës për tërheqje të pranimit të pavarësisë së Kosovës”, duke vendosur kështu themelet për rinovimin e negociatave, mes të dy palëve për arritje të marrëveshjes për rregullim të marrëdhënieve të ndërsjella. Ai kthehet edhe në nevojën e tejkalimit të krizës politike në Shqipëri, si dhe në çështjen lidhur me praninë kineze të përforcuar në vendet e rajonit.