Një këshilltar i lartë shkencor i qeverisë indiane gjatë ditës së sotme paralajmëroi se India do të përballej në mënyrë të pashmangshme me një valë tjetër të pandemisë së koronavirusit, pasi afro 4000 njerëz vdiqën brenda një dite.
Në këtë vend spitalet po përballen me mungesë të shtretërve dhe oksigjenit, por po pritet që të ketë edhe një valë të dytë vdekjeprurëse të infeksioneve.
Në vazhdën e gjithë kësaj, Organizata Botërore e Shëndetësisë tha në një raport javor se India përbënte gati gjysmën e rasteve të koronavirusit të raportuar në të gjithë botën javën e kaluar dhe një të katërtën e vdekjeve.
Shumë njerëz kanë vdekur në ambulanca dhe parkingje makinash duke pritur për një shtrat ose oksigjen.
Këshilltari kryesor shkencor i qeverisë, K. VijayRaghavan, paralajmëroi se edhe pasi nivelet e infeksionit të ulen, vendi duhet të jetë gati për një valë të tretë.
“Faza e tretë është e pashmangshme, duke pasur parasysh nivelet e larta të virusit që qarkullon,” tha ai në një konferencë shtypi.
“Por nuk është e qartë se kur do të ndodhë kjo fazë, ne duhet të përgatitemi për valë të reja”.
Siç shkruan Reuters, Qeveria e Kryeministrit Narendra Modi është kritikuar gjerësisht për mosveprimin më shpejt për të shtypur valën e dytë, pasi festivalet fetare dhe tubimet politike tërhoqën dhjetëra mijëra njerëz në javët e fundit dhe u bënë ngjarje “super përhapëse”.
Vdekjet në Indi u rritën me një rekord prej 3780 gjatë 24 orëve të fundit, këtë e treguan të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë e cila njoftoi gjithashtu se infeksionet ditore u rritën me 382315 në 24 orët e fundit.