Pas dështimit për liberalizimin e vizave, kërkohet shuarja e Ministrisë së Integrimeve

Dështimi në liberalizim të vizave dhe mos arritjen e përmbushjes së qëllimeve që është krijuar Ministria e Integrimeve Evropiane, ka bërë që të konsiderohet se vazhdimi i punës së kësaj ministrie është vetëm shpenzim i panevojshëm i buxhetit të shtetit.

Marketing

Të paktën kështu thotë Arton Demhasaj nga organizata joqeveritare “Çohu”.

Ai ka dyshime se pse kjo Ministri duhet të ekzistojë, sipas tij, mos arritja e qëllimeve në fokuset që i ka pasur duhet të jetë një reflektim që të vendoset se kompetencat e proceseve integruese në BE, të barten në një departament të veçantë brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Demhasaj, konsideron se përderisa Kosova nuk është askund në procese eurointegruese, kjo Ministri është e panevojshme.

“Kosova nuk është askund në procese euro integruese, as nuk ka aplikuar, për vend kandidat është shumë larg proceseve integruese, vetëm një marrëveshje ka nënshkruar Kosova me BE-në, që është MSA-ja dhe nuk ka qenë e nevojshme që të krijohet kjo ministri për shkak se punët që i kryen ajo ka mundur t’i kryer një departament brenda një ministrie ekzistuese ose brenda qeverisë, zyrës kryeministrit… Pa nevojë me u krijuar një ministri që shpenzon buxhet për shkak se ka ministren, zëvendës ministra, plotë staf që në një mënyrë paguhen nga buxheti i Kosovës dhe mund të jetë një shpenzim i kotë i buxhetit të Kosovës”, thotë Demhasaj.

Mirëpo, më e ashpër ndaj ministres së Integrimeve, Dhurata Hoxha është shprehur, deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli-Dalipi.

Sipas saj, ministrja Hoxha duhet të jap dorëheqje sa më shpejt të jetë e mundur, sepse siç thotë ka dështuar.

Përkundër kësaj, Pacolli-Dalipi tha se duhet një analizë më e thellë për të parë a duhet apo jo që kjo Ministri të shuhet dhe të vendoset në një departament tjetër brenda MPJ-së.