Pas kontrolleve inspektorët i dhanë vetes pushim

Aksioni i një dite më parë në tregjet me shumicë të fruta-perimeve në disa qytete të vendit, ishte vetëm maja e ajsbergut. Një ditë më pas, të gjitha institucionet e përfshira i dhanë pushim vetës, si ditë e diel. Përmes telefonit na thanë se nga e hëna do të shqyrtohen dokumentet e konfiskuara, nëse ka ndonjë shkelje të Ligjit për Tregti. Por, as Inspektorati i Tregut, as Policia Financiare, as DAP e as Drejtoria e Doganave nuk duan të komentojnë indiciet se kjo skemë ndërmjet tregtarëve dhe zyrtarëve është praktikuar nga 2007. Si duket importi i fruta-perimeve u doli dredhë institucioneve, që tani duhet të japin përgjegjësi përkatëse.

Marketing

“Aksioni operativ i ndërmarrë në koordinim me institucionet e tjera relevante akoma është në fazën e shqyrtimit të dosjeve dhe gjatë javës së ardhshme do të dalim me informacione konkrete. Përderisa nuk vërtetohen faktet, nuk mund të prejudikojmë për çfarë vepra dhe për çfarë periudhe bëhet fjalë”, thonë nga Policia Financiare.

Të premten nga Ministria e Ekonomisë u tha se ngrirja e çmimeve të disa fruta-perimeve nxorën në pah mashtrimin me fatura të rreme të tregtarëve që importuan nga vendet e rajonit, përkatësisht më të ulëta për t’i shmangur detyrimet doganore, që përveç veprës penale të korrupsionit përbën dhe evazion fiskal. Por, për ish anëtarin e Antikorrupsionit Arif Musa, penalisht duhet të ndiqen edhe ata që kanë marrë ryshfet ndër vite. Ky sistemi korrupsioni i mbindërtuar në pikat doganore, sipas tij, jo vetëm në gjërat ushqimore, por në çdo mall, ka dëmtuar buxhetin e shtetit rreth 100 milion euro për dy dekada.

“Doganierët nëpër pikat doganore të vendit, gjithmonë kanë bashkëpunuar me firmat e shpedicionit në dëm të buxhetit të shtetit. Gjithnjë i kanë pranuar faturat me çmime më të ulëta se sa ato reale që janë në vendet nga importohen produktet e fruta-perimeve. Kjo çështje dihet gjatë kohë, partitë që kanë qenë në pushtet çdoherë kanë toleruar sepse funksionarët e tyre kanë vjedhë, mos të themi me qindra mijëra, por çdo dhjetëra milion euro, në dëm të buxhetit të shtetit, përafërsisht 50-100 milion euro për 20 vite”, tha Arif Musa, Ish-anëtar i Komisionit Anti-korrupsion..

Njohësit e fushës thonë se kjo gjendje e rënduar e inflacionit ka arritur kulmin në krizën ekonomike dhe financiare, kur përveç dëmtimit të buxhetit të shtetit tani ka prekur rëndë edhe xhepat e qytetarëve. Ata gjithnjë të lirën po e paguajnë shtrenjtë, duke përfshirë edhe produktet ushqimore bazë, andaj kërkojnë që aksionin mos ta koordinoj Inspektorati i Tregut, por ta marr në dorë Prokuroria Themelore Publike./Alsat.mk

Marketing