Kritikat nga bashkësia e vendeve myslimane, të cilat dënuan ashpër djegien e Kuranit në Stokholm gjatë festës së Kurban Bajramit nga një irakian i krishterë, duket se nuk kanë ndikuar te Suedia, e cila ka dhënë sërish leje për djegien e dy librave të shenjtë.
Policia e Stokholmit njoftoi të premten se ka autorizuar zhvillimin e një proteste këtë fundjavë para ambasadës së Izraelit, nga një burrë që ka deklaruar se dëshiron të djegë Tevratin dhe Biblën.
Personi që paraqiti kërkesën për protestën e së shtunës, tha se donte të digjte dy librat e shenjtë në formë përgjigje për djegien e Kuranit jashtë një xhamie në Stokholm muajin e kaluar nga një emigrant irakian.
Policia e Stokholmit dha “ok” për protestën dhe në vendim thuhet se tre persona do të marrin pjesë në demonstratën jashtë ambasadës izraelite që do të zhvillohet në orën 13:00.
Edhe pse e drejta për të mbajtur demonstrata publike është e mbrojtur nga kushtetuta në Suedi, dhe policia e kryeqytetit sqaroi për AP, se ata “nuk japin leje për veprime të ndryshme, por për zhvillimin e mbledhjeve publike”, zyrtarët izraelitë kanë bërë thirrje që të ndalet tubimi.
“Si President i Shtetit të Izraelit, unë dënova djegien e Kuranit, të shenjtë për myslimanët në mbarë botën, dhe tani jam i lënduar që i njëjti fat pret një Bibël hebraike, librin e përjetshëm të popullit hebre”, tha Isaac Herzog në një deklaratë.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm izraelit Eli Cohen tha se ai po u kërkonte zyrtarëve suedezë që “të parandalojnë këtë ngjarje të neveritshme dhe të mos lejojnë djegien e Tevratit“.
Edhe kryerabini i Izraelit, Yitzhak Yosef ka reaguar duke iu lutur mbretit të Suedisë që të ndërhynte, duke dënuar ngjarjen e planifikuar si dhe djegien e fundit të Kuranit përpara një xhamie në Suedi.
“Duke parandaluar që kjo ngjarje të ndodhë, ju do t’i dërgoni një mesazh të fuqishëm botës se Suedia qëndron fort kundër intolerancës fetare dhe se akte të tilla nuk kanë vend në një shoqëri të civilizuar”, shkroi ai.