Ballina Lajme Botë Pashkët Katolike, Papa Françesku bën thirrje për armëpushim në Gaza

Pashkët Katolike, Papa Françesku bën thirrje për armëpushim në Gaza

Papa Françesku bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Gazë dhe lirimin e të gjitha pengjeve izraelite gjatë fjalimit të së dielës me rastin e Pashkëve, që shënoi ditën më të rëndësishme në kalendarin e krishterë, ndërsa ati i shenjtë shprehu keqardhje për vuajtjet e shkaktuara nga luftërat.

Marketing

Papa kryesoi meshën e mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit nga ballkoni qendror i Bazilikës duke mbajtur fjalimin tradicional “Urbi et Orbi” (drejtuar qytetit dhe botës).

Papa 87-vjeçar nuk ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore gjatë javëve të fundit, duke i kufizuar daljet publike dhe anuluar disa ceremonitë si ajo e së ‘Premtes së Mirë’ dhe evente të tjera.

Megjithatë, ati i shenjtë mori pjesë në ngjarje të tjera të ‘Javës së Shenjtë’ që i paraprijnë Pashkës dhe dukej mjaft mirë të dielën. Pashkët shënojnë ditën për të cilën besimtarët besojnë se Krishti u ngjall nga vdekja.

Pas shërbesës, Papa u ngjit në makinën e zbuluar për të përshëndetur turmat në shesh dhe rrugën që lidh bazilikën me lumin Tiber. Vatikani tha se rreth 60,000 njerëz morën pjesë në ceremoninë e lutjeve.

Papa Françesku vazhdimisht ka shprehur keqardhje për vdekjet dhe shkatërrimet nga lufta në Gazë. Ai i përsëriti thirrjet për armëpushim gjatë ceremonisë të dielën.

“Unë bëj thirrje edhe një herë që të sigurohet qasja e ndihmave humanitare në Gazë, bëj thirrje përsëri për lirimin e menjëhershëm të pengjeve të marra më 7 tetor dhe për një armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazës”, tha ai gjatë fjalimit ‘Urbi et Orbi’.

“Sa vuajtje shohim në sytë e fëmijëve, fëmijët kanë harruar të buzëqeshin në ato zona lufte. Me sytë e tyre, fëmijët na pyesin: Pse? Pse gjithë kjo vdekje? Pse gjithë ky shkatërrim? Lufta është gjithmonë një absurditet dhe një humbje”, tha ati i shenjtë.

Mesazhi i Papës për Pashkët përqendrohet tradicionalisht tek çështjet botërore. Ai foli për Ukrainën, Sirinë, Libanin, Armeninë, Azerbajxhanin, Haitin, Mianmarin, Sudanin, rajonet Sahel dhe Bririn e Afrikës, Kongon dhe Mozambikun.

Vitin e kaluar Papa i kërkoi kardinalit italian Matteo Zuppi që të ndërmjetësonte riatdhesimin nga Rusia dhe territoreve të pushtuara të fëmijëve ukrainas. Në fjalimin e Pashkëve Papa bëri thirrje për ‘një shkëmbim të përgjithshëm të të gjithë të burgosurve mes Rusisë dhe Ukrainës’.

Papa e dënoi trafikimin e qenieve njerëzore dhe u lut për “një rrugë shprese” për ata që vuajnë nga dhuna, uria dhe efektet e ndryshimeve klimatike, ndërsa shprehu ngushëllime për “viktimat e terrorizmit në të gjitha format e tij”./VOA

Marketing
Exit mobile version